Jahjaga: FSK është një tregim i suksesit në Kosovë
Prishtinë, 9 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vizitoi sot Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ajo u prit fillimisht nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi dhe parakaloi para Gardës Ceremoniale të FSK-së, ndërsa më pas zhvilloi një takim me ministrin e FSK-së, Agim Çeku, gjeneral Selimin dhe udhëheqës të tjerë të kësaj force.
Presidentja Jahjaga, njëkohësisht komandante e përgjithshme e FSK-së, tha se Forca e Sigurisë është një tregim i suksesit në Kosovë, një institucion shumë profesional, në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit.
Presidentja Jahjaga i ofroi ministrit Çeku dhe drejtuesve të FSK-së gjithë përkrahjen për arritjen e Kapaciteteve të Plota Operacionale nga ana e kësaj force, trajnimin dhe profesionalizimin e mëtejmë të pjesëtarëve dhe të oficerëve të FSK-së, anëtarësimin në institucionet rajonale të sigurisë, si dhe realizimin e synimit për anëtarësim në NATO.
Ministri Agim Çeku dhe gjenerallejtënant Sylejman Selimi e njoftuan Presidenten Jahjaga me strukturën dhe zhvillimin e FSK-së, si dhe planet për të ardhmen.