Jahjaga e Maxhuni diskutojnë për sigurinë e zgjedhjeve në veri
Prishtinë, 14 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim drejtorin e përgjithshëm të policisë së Kosovës, zotëri Shpend Maxhuni, me të cilin bisedoi për procesin zgjedhor që zhvillohet në tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës, më 17 Nëntor, si dhe për gjithë procesin e balotazhit që mbahet në disa komuna të Kosovës më 1 Dhjetor.
Presidentja Jahjaga theksoi se siguria dhe garantimi i të drejtës së votës së lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe me theks të posaçëm për qytetarët e komunitetit serb që jetojnë në veri të territorit të Republikës së Kosovës, është thelbësore.
Ajo tha se beson në një proces të qetë të rivotimit në tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës dhe theksoi domosdoshmërinë e garantimit të sigurisë për të gjithë votuesit që marrin pjesë në zgjedhje.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, zotëri Shpend Maxhuni, e njoftoi Presidenten Jahjaga për të gjitha përgatitjet dhe koordinimin që ka bërë Policia e Kosovës me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë për garantimin e një procesi të rregullt e të sigurt zgjedhor në rivotimin që mbahet më 17 Nëntor në qendrat e votimit në veri të Mitrovicës.