Jacobson viziton Task Forcën e Kërkim - Shpëtimit të FSK-së
Prishtinë, 5 shtator - Sot, në vendin e ashtuquajtur Te Pishat, në fshatin Sllatinë e Madhe, komuna e Fushë-Kosovës, u mbajt ushtrimi i Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC) të FSK-së, në kërkim-shpëtim urban dhe ushtrimi i paramedikëve (teknikët medicinal ushtarak).
Skenari i ushtrimit të kërkim-shpëtimit, ishte kërkimi i një nxënëseje 6 vjeçe, e cila kishte humbur në malet e fshatit, gjatë kthimit nga shkolla.
Për të përcjellë ushtrimin në kërkim-shpëtim urban dhe atë të paramedikëve, kishin ardhur komandanti dhe zëvendës komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati dhe gjeneralmajor Rrahman Rama, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, zonja Tracey Ann Jacobson, atasheu ushtarak i SHBA-s, James Kott, zëvendësambasadori i Britanisë së Madhe Joe Preston, komandanti i BMO-së, kolonel Iljaz Dërguti, si dhe oficerë dhe ushtarë të FSK-së dhe KFOR-it.
Fillimisht, komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së, kolonel Shaip Haziri i njoftoi të pranishmit, për trajnimet dhe të arriturat e përgjithshme të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së, i cili numëroi të arriturat e përgjithshme të Kompanisë së Mbrojtjes Kimike Atomike Biologjike - MKAB-së, të Kompanisë së deminimit dhe të Task Forcës së kërkim-shpëtimit.
Për momentin, ne po i mbajmë dy ushtrime; në kërkim-shpëtim urban me instruktorë amerikan të iniciuar nga Ambasada e SHBA-ve, sipas marrëveshjes së bashkëpunimit në mes SHBA-s dhe MFSK-së, dhe ushtrimin e paramedikëve me instruktorë anglezë, që, të dy ushtrimet janë të një niveli shumë të avancuar. Instruktorët amerikanë dhe ata anglezë do të punojnë deri në fund të dhjetorit, njoftoi komandanti i RMC-së, kolonel Shaip Haziri.
Më pastaj, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati dhe ambasadorja e SHBA-s, Tracey Ann Jacobson, në një terren të ashpër, arritën të lëshohen me litar, për ta shpëtuar një qytetar të lënduar. Ambasadorja e SHBA-ve, Tracy Jacobson me sukses u lëshua me litar edhe nga objekti i Kazermës së RMC-së, në Pomozotin.
Me këtë rast, ambasadorja e SHBA-ve, Jacobson, ka falënderuar FSK-në dhe instruktorët amerikanë, që po i kryejnë me sukses trajnimet e përbashkëta; për të shtuar se është kënaqësi e veçantë që po e përcjellë këtë ushtrim të kërkim-shpëtimit urban, të mbajtur nga instruktorët amerikanë dhe të FSK-së.
Ndërsa, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, pasi ka falënderuar ambasadoren e SHBA-ve, Trecey Jacobson, për ndihmat e përgjithshme që po jep për FSK-në, ka përgëzuar kompaninë e kërkim-shpëtimit urban, instruktorët amerikanë dhe ata anglezë, për trajnimet e përbashkëta që po i mbajnë me FSK-në. Ushtrimi i kërkim-shpëtimit urban i RMC-së, u vlerësua shumë i suksesshëm.