Ivanovic i përfshirë në masakrën e Mitrovicës
Mitrovicë, 3 shkurt - Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi janë vrarë në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriorë të Mitrovicës.
Këta persona janë vrarë dhe masakruar nga grupi kriminal serb Rojat e Urës 12 vjet më parë, të udhëhequr nga ish-shefi i atëhershëm i këtij grupi Oliver Ivanovic.
Këtë operacion të vrasjeve, të masakrimit dhe dëbimit të mbi 12 mijë shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës e ka udhëhequr bashkërisht MUP i Serbisë, me në krye ish-komandantin Dragan Delibasic dhe Oliver Ivanovic.
Për këta dy udhëheqës të këtij operacioni, si dhe shumë kriminelë të tjerë ekzistojnë fakte në një dokument të policisë së UNMIK-ut, i njohur me emrin Pandora, shkruan portali LajmeShqip.
Deri më tani për këto 10 vrasje të shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe dëbimit të mbi 12 mijë të tjerëve nuk është ngritur asnjë aktakuzë dhe askush nga këto grupe ende nuk është përballur me drejtësinë.
Shaip Canhasi, në varrezat e qytetit të Vushtrrisë ka varrin e bashkëshortes së tij, Remzijes, që u vra 12 vjet më parë. Botërisht dihet se ndërmjet natës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, 10 shqiptarë u vranë prej pjesëtarëve të formacioneve serbe, kurse 1 564 familje shqiptare me gjithsej 11 364 persona u dëbuan dhunshëm nga banesat e tyre në veri të Mitrovicës, thuhet ndër të tjera në këtë artikull.
Ivanovic ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës para shpalljes së pavarësisë, ndërkaq tani është sekretar shtetërorë në të ashtuquajturën Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.