14 Maj 2024

Iu dha lamtumira e fundit, gazetarit Petrit Sherifi

Gjilan, 18 mars - Dhimbja ka pllakosur fshatin Pogragjë të Gjilanit, në të cilin i është dhënë lamtumira e fundit gazetarit të “Zërit”, Petrit Sherifi, i cili në pasditen e të shtunës tragjikisht ka ndërruar jetë në një aksident trafiku.

Kortezhi me familjarë, kolegë e qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës është nisur nga shtëpia e Petrit Sherifit, e cila gjendet përballë fshatit, për të vazhduar me ceremonitë fetare në xhaminë e fshatit e më pas në varrezat e fshatit Pogragjë, ku numri i pjesëmarrësve ka qenë edhe më i madh.

Nuk kishte njeri nga kjo pjesë e Karadakut, që ka dhjeta fshatra, e që nuk kishte zbritur në Pogragjë për t’i dhënë lamtumirën e fundit gazetarit të ri, të guximshëm e tejet të përkushtuar, Petrit Sherifi, fati i keq i të cilit e ndali në gjysmë rritën profesionale të tij.

Pasi janë kryer ritet fetare, të udhëhequra nga imami i fshatit, Ramdan Durmishi, në emër të gazetës “Zëri’, ku Petriti kishte nisur e po vazhdonte karrierën e tij, ka folur zëvendëskryeredaktori, Behxhet Haliti, i cili tha që kjo të ketë qenë barrë e obligim i rëndë për të për t’u ndarë nga Petriti.

“Të gjitha vdekjet janë të natyrshme. Ne të gjithë jemi lindur për të vdekur. Njëri thoshte se “vdekja është zbulimi i vetëm i vërtetë i jetesës”. Por, disa nga to janë më të rënda”, ka thënë Behxhet Haliti, zëvendëskryeredaktor i “Zërit”, i cili tha se i tërë kolektivi mbeti pa frymë, të shtangur gati edhe pa çehre, kur morën lajmin se njëri nga anëtarët më të rinj të stafit, Petrit Sherifi kishte vdekur tragjikisht në vendlindjen e tij, teksa po tentonte të përjetonte jetën, ajrin dhe tokën.

Haliti tha se Petriti ishte tepër i ri për të vdekur, por se ai ka me se të kujtohet, ngase ndonëse i ri, ai tashmë ishte bërë gazetar dhe atë gazetar i mirë, që ekspozonte keqqeverisjen, keqmenaxhimin, nepotizmin e korrupsionin potencial, si në strukturat publike ashtu edhe në ato lokale.

“Ne mburremi me Petritin. Gëzohemi që patëm mundësi ta njohim. Që nuk mund të ishim më të mirë se që ishim me të. Mendonim për gjatë, edhe ai edhe ne, dhe për ditët e mira që do të vijnë për ne të gjithë në këtë vend. Bashkëndjejmë me familjen. Vetëm ata mund të mburren me të më shumë se ne. Kanë për çka dhe për kënd. Edhe vendlindja e tij Gjilani, për të cilin u kujdes më mirë si gazetar nga Prishtina, sesa të ishte në vendlindje”, ka thënë Behxhet Haliti, duke thënë se do të vazhdohet rruga e tij dhe e jona drejt zhvillimit të vendit.

Në emër të familjes, pjesëmarrësve të shumtë u është falënderuar babi i gazetarit, Petrit Sherifi, Abdullahu, i cili miqtë e shumtë të të birit i ka përshëndetur me lot e mall, duke thënë se patrit ishte në rrugë të drejtë dhe se edhe pse humbi djalin e madh, gëzimin e tij të parë, ndjehet krenar kur sheh rininë, shoqërinë e të birit, nga të cilët kërkoi që të mos ndalin, për siç tha, për ta quar vendin në rrugën e hairit e të begatisë, për ta quar Kosovën përpara.

Në familjen e Petrit Sherifit dhe në redaksinë e gazetës “Zëri” vazhdojnë ta ngushëllojnë institucione të shumta. Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” nga Gjilani, humbjen e hershme të Petrit Sherifit e ka cilësuar humbje e madhe edhe për gazetarinë kosovare.

“Petriti ishte gazetar i vendosur ,hulumtues dhe përkushtues i denjë i profesionit, andaj vdekja e tij e hershme ka tronditur thellë kolegët e tij nga Gjilani, të cilët bashkëndiejnë dhimbjen me familjen dhe gazetën “Zëri”, është thënë në Klubin e Gazetarëve “Beqir Musliu”.

Familjes Sherifi dhe gazetës “Zëri”, ngushëllime i ka shprehur edhe kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili ka thënë se “lajmi për vdekjen tragjike e të hershme të Petritit, birit tuaj, na pikëlloi të gjithëve. Ndaj, familje e respektuar e Petritit, më lejoni që në emrin tim, në cilësinë e kryetarit të komunës, të institucioneve komunale dhe qytetarëve të Gjilanit, t’u shprehi ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tragjike të birit tuaj”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit të komunës Qemajl Mustafa.

Telegrame ngushëllimi kanë dërguar edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili, mes tjerash ka thënë se “Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson lartë rolin e medias së lirë dhe të pavarur të Kosovës në procesin e shtetndërtimit dhe të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike”.

“Në këtë kuadër, roli i gazetarit Petrit Sherifi në shtjellimin e temave të karakterit ekonomik është për t’u çmuar. Vdekja tragjike dhe e hershme e Petritit, është një humbje e madhe për familjen Sherifi, por edhe për gazetarinë e shkruar kosovare”, është thënë në telegramin e Kryeministrit Thaçi.

Edhe kryetari i LDK-s, Isa Mustafa, përmes një telegrami, ka ngushëlluar familjen Sherifi si dhe stafin e redaksisë së Gazetës “Zëri”.

“Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të thella për humbjen e më të dashurit tuaj, gazetarit Petrit Sherifi. Lajmi për shuarjen e tij na ka trishtuar të gjithëve, ndaj dua t’ju përcjell ndjenjën e dhembjes dhe të solidaritetit tonë të plotë me Ju. Shpirtërisht dhe në lutje jemi me Ju! Zoti e bekoftë Petrit Sherifin! Zoti e bekoftë familjen Sherifi!”, thuhet në telegramin e Mustafës dërguar familjes Sherifi, duke vazhduar me telegramin drejtuar kolegëve të të Ndjerit Petrit Sherifi nga Gazeta “Zëri”.

“Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të thella për humbjen e kolegut e mikut tuaj, gazetarit Petrit Sherifi. Ikja e hershme e Petrit Sherifit është një humbje e rëndë për familjen, për Ju si bashkëpunëtorë të tij dhe për gazetën “Zëri”, në të cilën ai nisi ta profilizojë karrierën e tij si gazetar, si dhe për fjalën e lirë në përgjithësi”, thuhet në telegramin e liderit Mustafa, duke shtuar më tej se “Duke ju shprehur solidaritetin tonë të plotë, ju lus që këtë çast të rëndë zie ta ktheni në forcë për të vazhduar misionin tuaj për informimin e lirë dhe të drejtë të lexuesve të gazetës “Zëri” dhe të mbarë opinionit në vend”.

“Zoti e bekoftë Petrit Sherifin! Zoti i bekoftë të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij!”, citohet të ketë thënë Mustafa në telegramin e tij.

Gazetarët e ekonomisë ngushëllojnë familjen Sherifi dhe gazetarët kosovar

Telegrame ngushëllimi kanë arritur edhe nga kolegët e Sherifit nga Qendra e Gazetarëve të Ekonomisë, ku, mes tjerash, thuhet: “Qendra e Gazetarëve të Ekonomisë së Kosovës me dhembje të thellë mori lajmin për vdekjen tragjike të kolegut Petrit Sherifi, gazetar i gazetës së përditshme “Zëri”. QGEK shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Sherifi dhe gazetarëve që humbën një prej kolegëve që e bëri punën e tij profesionale me përkushtim të lartë në sektorin e ekonomisë. Petrit Sherifi si gazetar i kontrbuuoi vendit me tema të shjelluara shumë të rëndësishme ekonomike. Kolegu Sherifi humbi jetën në një aksident tragjik në moshën 23 vjeçare në vendlindjen e tij në Gjilan. Vdekja tragjike dhe e hershme e Petritit, është një humbje e madhe për familjen Sherifi, por edhe për gazetarinë e Kosovës në përgjithësi”, thuhet në telegramin e Qendër së Gazetarëve të Ekonomisë së Kosovës(QGEK)

Edhe shoqatat e gazetarëve, AGPK dhe UGK, kanë dërguar telegrame ngushëllimi, duke shprehur pikëllimi ne tyre të thellë me humbjen e jetës së gazetarit Petrit Sherifi.(zeri)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)