Italia do të vazhdojë ta mbështesë FSK-në
Prishtinë 27 gusht - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në takim lamtumirës zëvendëskomandantin e KFOR-it, gjeneral Antonio Satta, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin frytshëm, për detyrën me përgjegjësi në kuadër të KFOR-it dhe për kontributin çmuar në ngritjen dhe profesionalizimin e FSK-së.
Ai e ka vlerësuar miqësinë historike ndërmjet popullit të Kosovës dhe popullit italian, e ka falënderuar shtetin mik të Italisë për gjithë mbështetjen e saj për Kosovën, kurse në mënyrë të veçantë i ka falënderuar pjesëtarët italianë, në kuadër të KFOR-it, për mbështetjen e vazhdueshme të FSK-së.
Zëvendëskomandanti i deritanishëm i KFOR-it, gjeneral Antonio Satta, e ka përgëzuar kryeparlamentarin Krasniqi për udhëheqjen e mirë të legjislativit të vendit.
Megjithë kontributin e rëndësishëm të bashkësisë ndërkombëtare për mbarëvajtjen e punëve në Kosovës, Satta ka vlerësuar se meritat më të mëdha për këtë i takojnë lidershipit të vendit.
Ai e ka garantuar kryeparlamentarin Krasniqi se Italia do të jetë pjesë aktive e KFOR-it dhe se do të vazhdojë ta mbështesë FSK-në, sikurse edhe EULEX-in, nëpërmjet njësive të saj të karabinjerëve.
Bashkëbiseduesit e kanë vlerësuar shumë pozitiv bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet dy vendeve dhe janë shprehur të bindur se ai duhet të thellohet edhe më në shumë fusha me interes reciprok.