Ismail Smakiqi u takua me Zhivko Shipçiq
Prishtinë, 22 nëntor - Kryeshefi Ekzekutiv i Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim (QKSPEZH), Ismail Smakiqi, qëndroi në një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku takua me drejtorin e Akademisë Policore të Danilovgradit në Mal të Zi, Zhivko Shipçiq.
Në këtë takim, ku mori pjesë edhe drejtori i Qendrës për Formimin e Policisë në Tiranë, Hamdi Fjora, u diskutua për bashkëpunimin mes tri qendrave të sigurisë publike, për shkëmbimin e përvojave mes tri shteteve dhe reformat në trajnimin e pjesëtarëve të sigurisë publike.
Të tri palët u pajtuan që trajnimi i pjesëtarëve të sigurisë publike nuk duhet të kufizohet vetëm brenda kufijve të këtyre shteteve, por të zgjerohet edhe më tej, duke realizuar misionin në ruajtjen e sigurisë së përgjithshme.