Ish- drejtori i PTK-së, Shyqyri Haxha dorëzohet në polici

Prishtinë, 16 mars - Shyqyri Haxha është dorëzuar të enjten në polici. Ish-kryeshefi i PTK-së, i shoqëruar nga avokati i tij, Ramë Gashi, është intervistuar nga hetues të Policisë së Kosovës nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale.
Haxha, ndaj të cilit kishte një urdhërarrest prej 5 marsit, ka sqaruar para hetuesve punësimin e shumë njerëzve dhe procedurat e shpalljes së vëllait të tij të vrarë në luftë, Bahri Haxha, dëshmor i kombit.
Avokati Ramë Gashi ka thënë se kjo ka qenë thjesht një intervistë në të cilën janë sqaruar disa punësime sa ka qenë Haxha në krye të PTK-së.
Sipas Gashit, ai ka dhënë shpjegime kryesisht rreth punësimeve dhe disa gjërave që lidhen me statusin e vëllait të tij të ndjerë.
Shyqyri Haxha është nën hetime bazuar në dyshime se ka kryer vepër penale të krimit të organizuar dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.