IPK shënon përvjetorin e 17-të
Prishtinë, 3 korrik - Inspektorati Policor i Kosovës në një ceremoni të organizuar me shumë aktivitete ka shënuar ka shënuar sot 17 vjetorin e themelimit.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfaqësues të institucioneve që ndërlidhen me fushën e sigurisë, gjyqësisë, prokurorisë si dhe përfaqësues nga agjencitë si motra nga Republika e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, dhe Malit të Zi etj.
Gjatë fjalimeve të rastit që u mbajtën në këtë ceremoni u përshkrua rrugëtimi i IPK-së ndër vite, rezultatet dhe sfidat duke vënë në pah se ky rrugëtim u mundësua edhe falë përkrahjes së institucioneve vendore e ndërkombëtare siç është ICITAP-i amerikan, OSBE-ja etj.
Si pjesë e kësaj ceremonie, nga udhëheqësit e agjencive si motra nga katër shtetet (Republikës së Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi) u nënshkrua edhe Deklarata për themelimin e Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore.
Themelimi i Forumit Rajonal vjen pas konferencës rajonale së mbajtur në Prizren këtë vit ku një prej konkluzioneve ishte ai për themelimin e forumit të përbashkët të agjencive të mbikëqyrjes/kontrollit policor të Republikës së Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Gjithashtu, me rastin e shënimit të këtij përvjetori, IPK në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut ka organizuar edhe dhurimin vullnetar të gjakut nga punonjësit e IPK-së .
Në shenjë mirënjohjeje për angazhimin dhe përkushtimin e treguar ndër vite, IPK ndau mirënjohje dhe medalje për disa punonjës të saj.
IPK u themelua në vitin 2006 si një mekanizëm i pavarur i mbikëqyrjes së Policisë me dy funksione kryesore: inspektimi i mënyrës së kryerjes së detyrave nga ana e Policisë në lidhje me efektshmërinë dhe zbatueshmërinë e ligjeve në fuqi dhe hetimin e të gjitha ankesave për sjellje të policëve pa dallim grade.