IPK shënoi përvjetorin e 16-të të themelimit
Prishtinë, 8 korrik - Inspektorati Policor i Kosovës mbajti sot një ceremoni me rastin e shënimit të përvjetorit të 16-të. Në këtë aktivitet, krahas zyrtarëve të IPK-së morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Ceremonia u përcoll edhe me fjalë rasti që përshkruan rrugëtimin 16 vjeçar të IPK-së dukë vënë në pah sfidat dhe sukseset e treguara.
Kryeshefi i IPK-së z.Kushtrim Hodaj në fjalën e tij në këtë ceremoni potencoi sukseset duke falënderuar të gjithë zyrtarët e IPK-së për angazhimet e tyre:
“Në vitin 2006, Republika e Kosovës e ndihmuar nga Misioni i OSBE-së zgjodhi një nga modelet më demokratike të kontrollit dhe mbikëqyrjes ndaj punës së Policisë . Të vetëdisjshëm që IPK ka një mision sfidues, ne nuk jemi ndalur duke punuar pa rreshtur në arritjen e objektivave strategjike dhe operacionale."
"Në këtë përvjetor ne jemi akoma më të përkushtuar që të vazhdojmë të përmbushim misionin në luftimin e çdo të keqeje që kërcënon dhe rrezikon organizatën policore”- theksoi ndër të tjera Hodaj duke falënderuar edhe partnerët ndërkombëtarë si ICITAP, INL dhe OSBE për përkrahjen e dhënë në vazhdimësi për IPK-në.
Për rolin dhe rëndësinë e mandatit të IPK-së dhe sukseset e treguara ndër vite u fol edhe në fjalët e rastit nga Atasheja e ICITAP-it pranë Ambasadës Amerikane në Kosovë znj.Kimberly Riffe, ambasadori i Misionit të OSBE-së në Kosovë Michael Davenport dhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit z. Besim Kelmendi.
Inspektorati Policor i Kosovës duke vlerësuar lart kontributin e dhënë nga secili zyrtar i saj por edhe partnerët vendor dhe ndërkombëtar, në këtë ceremoni ndau medalje për zyrtarë të dalluar të IPK-së, zyrtarë të ICITAP-it, INL-it ,OSBE-së dhe Prokurorisë së Shtetit.
Me rastin e shënimit të këtij përvjetori, IPK në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut ka organizuar edhe dhurimin vullnetar të gjakut nga punonjësit e IPK-së.