IPK rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve policorë në Prizren
Prishtinë, 21 prill - Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 dhe “Ushtrim ndikimi” neni 424 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Hetimet lidhur me këtë rast kanë filluar ditë më herët ku hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione se dy zyrtarë policorë (komandanti i stacionit të Prizrenit me gradën e majorit dhe komandanti i nën stacionit policor të Zhurit me gradën e rreshterit) kanë ndërhyrë pa autorizim në një gjobë për kundërvajtje në trafik me ç’rast dyshohet se janë ndryshuar neni dhe paragrafi, pastaj është ndryshuar vlera e gjobës.
Dyshimet janë se gjatë ndërhyrjes së paautorizuar janë larguar edhe pikët negative të shqiptuara si dhe është revokuar ndalesa për vozitje dhe konfiskimi i patentë shoferit.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.