IPK rekomandoi suspendimin e tre zyrtarëve policorë në dy raste të ndryshme
Prishtinë, 11 shtator - Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë në dy raste të ndryshme, një në Kllokot dhe një rast tjetër në Fushë Kosovë.
Informatat e para për rastin e Kllokotit IPK i ka pranuar përmes Linjës së Kaltër (numri i telefonit pa pagesë 080003333) lidhur me dyshimin se dy zyrtarë policorë janë të përfshirë si të dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Një qytetar kishte raportuar në Linjën e Kaltër se këta dy zyrtarë policorë nuk kanë ndërmarrë veprimet hetimore ndaj të dyshuarve pas ankesës së tij (duke mos përfshirë në deklaratën e tij kërcënimet që ai kishte pranuar nga një zyrtar i lartë i komunës së Kllokotit).
Pas verifikimit të informacioneve të pranuara nga ankuesi, në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, hetuesit e IPK-së janë duke zhvilluar hetime me dyshimin se dy zyrtarët policorë kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës zyrtarët e përfshirë si të dyshuar në këtë rast janë suspenduar.
Në rastin tjetër, Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor me dyshimin për veprën penale të kanosjes.
Informatat e para për këtë rast IPK i ka pranuar mbrëmë dhe hetuesit janë dalë në vendin e ngjarjes.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me dy rastet.