IPK përuroi zyrën rajonale në Prizren
Në ceremoninë e organizuar nga IPK-ja për hapjen e zyrës në Prizren të pranishëm ishin përfaqësues të Prokurorisë, Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Agjencisë së Regjistrimit Civil, Policisë së Kosovës, Komunës së Prizrenit, si dhe përfaqësues të ICITAP-it amerikan dhe EULEX-it.
Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së, z.Fitim Shishani në fjalën e tij të rastit duke falënderuar të gjithë të pranishmit ceku rëndësinë e hapjes së kësaj zyre:
Arsyeja e parë e hapjes së zyrës në Prizren është që IPK të jetë më afër qytetarëve kurse arsyeja e dytë është që të ndihmojmë në profesionalizmin e mëtejmë të Policisë së Kosovës e cila konsiderohet edhe si barometër i shoqërisë së Kosovës- theksoi Kryeshefi Shishani duke falënderuar në veçanti edhe Agjencinë e Regjistrimit Civil e cila ka siguruar hapësirën për këtë zyre në objektin e saj në Prizren.
Z.Sylë Hoxha Kryeprokuror i Prokurorisë në Prizren hapjen e kësaj e konsideroi si fuqizim i bashkëpunimit me Inspektoratin Policor:
Edhe për ne si Prokurori në Prizren hapja e zyrës është lajm i mirë pasi që do të jemi më afër me rastet që trajton IPK-ja theksoi Kryeprokurori Hoxha duke shprehur kënaqësinë e tij për profesionalizmin dhe përkushtimin e punonjësve të IPK-së drejt realizimit të objektivave ligjore.
Përkrahjen për funksionimin e zyrës së IPK-së në Prizren premtoi edhe Kryetari i Komunës së Prizrenit z. Ramadan Muja i cili potencoi se hapja e kësaj zyre është e mirëpritur nga qytetarët e Prizrenit dhe 74 fshatrat e zonës së Prizrenit.
Zyra rajonale e IPK-së e cila ka filluar punën që nga sot gjendet në objektin e Agjencisë së regjistrimit Civil në Prizren afër objektit të Administratës Tatimore në Prizren në rrugën Kukësi.
Inspektorati Policor i Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të angazhohet duke ndihmuar në përmirësimin dhe ngritjen e cilësisë së punës së Policisë së Kosovës dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës përmes ofrimit të shërbimeve sa më afër qytetarit.