IPK arreston dy persona njëri nga ta zyrtar policor
Prishtinë, 28 shtator - Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar dje në Ferizaj dy persona njëri nga ta zyrtar policor stacioni policor i Hanit të Elezit me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale marrje e ryshfetit dhe keqpërdorim i pozitës apo autorizimeve zyrtare të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Arrestimit i kanë paraprirë disa veprime hetimore dhe informacioni i pranuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj lidhur me përfshirjen e një zyrtari policor si të dyshuar në këtë rast.
Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore preliminare dhe me vendim të prokurorit të shtetit të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në Qendrën e Ndalimit në Ferizaj ku u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.
Inspektorati Policor çmon lartë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe gatishmërinë e tyre për të luftuar dukuritë negative edhe kur në to janë të involvuar punonjës të PK-së.