04 Maj 2024

Instituti GAP diskuton për punën e inspektorateve në Kosovë

Prishtinë, 4 mars - Instituti GAP sot organizoi një debat me përfaqësuesit e mbi 20 inspektorateve në Kosovë për të diskutuar zbatueshmërinë e ligjeve, rolin e inspektorateve dhe organizimin e tyre.

Visar Rushiti analist politikash në Institutin GAP, prezantoi analizën mbi të gjeturat e një hulumtimi disa mujorë për problemet me të cilat përballen inspektoratet.

Rushiti specifikoi konfliktet që dalin nga paqartësitë e kompetencave në mes të inspektorateve qendrore dhe inspektorateve në nivel lokal. Si problem i identifikuar në analizën e GAP ishte edhe mos efikasiteti i gjykatave, ku shumë lëndë të inspektorateve parashkruhen në pamundësi për tu zgjidhur nga gjykatat.

Vetëm Komuna e Mitrovicës pret zgjidhjen e 3000 lëndëve të cilat nëpër vite i ka dërguar në gjykata.

Po ashtu në bazë të prezantimit të z.Rushiti, baza ligjore është shumë e paqartë në shumë raste dhe gjatë analizës është trajtuar edhe modeli nëse puna e inspektorateve duhet të centralizohet në një agjencion shtetëror, ose të mbahet e tillë ashtu siç është tani.

Në analizën e GAP identifikohen edhe kushtet jo të mira të punës së inspektorateve, pagesat e ulëta, numri i vogël i inspektorëve të angazhuar, etj.

Zenun Pajaziti – Kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, i informoi të pranishmit me Planin e Punës së Komisionit për 2014, ku parashihet edhe mbikëqyrja e punës së inspektorateve, në bashkëpunim me hulumtuesit e Institutit GAP.

Në debat kontribuan edhe përfaqësuesit e inspektorateve të nivelit qendror dhe atij lokal. Basri Ibrahimi, Kryeinspektor i Inspektoratit të Punës në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, përmendi problemin e numrit të ulët të inspektorëve të cilët nuk arrijnë të mbulojnë të gjitha bizneset dhe kërkoi nga institucionet vendimmarrëse që të rrisin numrin e inspektorëve.

Çerkin Dugolli nga Ministria e Infrastrukturës, Hysni Komani nga Inspektorati i Energjisë, Basri Ibrahimi nga Inspektorati i Punës dhe përfaqësues të inspektorateve tjera kritikuan përmbajtjen e Projektligjit për Inspektime, i cili është aprovuar në Qeveri më 27 dhjetor 2014.

Sipas tyre, Projektligji për Inspektime vetëm e vështirëson punën e inspektorëve, ngase parasheh që inspektimet të bëhen me paralajmërim dhe me leje të gjykatës.

Xhelal Sveçla, Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës paraqiti problemin e paqartësisë ligjore, kompetencat e pakta të komunave, numrin e vogël të inspektorëve në Prishtinë si dhe kushtet jo të mira të punës me të cilat përballen inspektorët në Prishtinë.

Sveçla përmendi edhe rastet ku një arkitekt i diplomuar paguhet me koeficient 6 të pagës apo 280 euro në muaj.

Rekomandimet e debatit të sotshëm mbi punën e insepktorateve do ti dërgohen Kuvendit të Kosovës gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Inspektimet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)