16 Janar 2025

Institucionet e vendit po punojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Prishtinë, 8 Shtator –  Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në konferencën e nivelit të lartë me temën “Personat e Zhdukur – Mënyra Përpara,” ku gjatë fjalimit të tij përshëndeti prezencën e Presidentes së Finlandës Tarja Halonen e cila qe pjesëmarrëse në këtë konferencë, si dhe të pranishmit tjerë.

Ministri Kuçi theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, në veçanti Ministrisë së Drejtësisë dhe të gjitha institucioneve vartëse, në bashkëpunim edhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë, për të kontribuar në zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe ndihmën për familjarët e tyre në Kosovë në vitet e pasluftës.

“Kosova tanimë ka një kornizë ligjore solide, duke përfshirë këtu edhe Ligjin për Personat e Pagjetur dhe aktet nënligjore të hartuara me qëllim të lehtësimit të zbatimit të ligjit. Korniza ligjore është hartuar dhe përgatitur në përputhje me standardet dhe praktikat e vendeve tjera, por gjithmonë duke pasur parasysh edhe realitetin në Kosovë dhe rrethanat e Kosovës”, theksoi Ministri Kuçi.

Ndër të tjera, Ministri Kuçi shtoi se është themeluar Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, komision ky i mandatuar për të koordinuar dhe shtyrë proceset me qëllim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur. Njëkohësisht, Ministri Kuçi përmendi edhe rolin dhe rëndësinë e Departamentit të Mjekësisë Ligjore si një ndër akterët kyç në këtë proces që ka barrën qenësore të kryerjes së ekspertizave mjekoligjore me qëllim të identifikimit të personave dhe kthimit të tyre tek familjarët.

Kuçi shtoi se Ministria e Drejtësisë me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe forcimit të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, ka finalizuar ligjin për transformimin e Departamentit në njësi qendrore të pavarur. Si rezultat i këtyre ndryshimeve legjislative, Departamenti mund të kryejë punë në mënyrë më të pavarur që mund ta lehtësojë bashkëpunimin me vendet tjera. Këto ndryshime do të krijojnë hapësirë për ngritjen e stafit dhe kapaciteteve të personave që punojnë në këto procese dhe që kanë ekspertizën e duhur.

Ministri Kuçi vlerësoi angazhimin dhe punën që ekspertët e EULEX-it kanë kryer gjatë këtyre viteve, rol ky esencial jo vetëm për nga ekspertiza por edhe bashkëpunimi me Serbinë dhe vendet tjera të rajonit. Njëkohësisht, duke pasur parasysh mungesën e raporteve direkte me Serbinë, institucionet ndërkombëtare duhet të jenë më proaktive – të ushtrojnë presion pozitiv të vazhdueshëm, theksoi Ministri Kuçi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)