12 Janar 2025

Institucionet e sigurisë vazhdojnë të jenë më të besuarat në Kosovë

Prishtinë, 23 nëntor - Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar raportin “Barometri Kosovar i Sigurisë: Edicioni i tetë”.

Barometri Kosovar i Sigurisë (BKS) është një program i veçantë, përmes të cilit Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë mat përceptimet publike. Ky edicion ka matur besimin e qytetarëve të Kosovës ndaj institucioneve kryesore të sigurisë dhe drejtësisë në vend.

Institucionet e sigurisë vazhdojnë të jenë më të besuarat në Kosovë. Qytetarët e Kosovës u besojnë institucioneve të sigurisë më shumë se atyre të drejtësisë ose atyre qendrore. Forca e Sigurisë së Kosovës përsëri është rradhitur si institucioni më i besueshëm në Kosovë. 77% e të anketuarëve janë shprehur se i besojnë FSK-së.

Sipas gjetjeve të BKS 2018, Policia e Kosovës (KP) vazhdon të jetë një institucion i besueshëm në sytë e qytetarëve, ku 61% të qytetarëve janë shprehur se i besojnë këtij institucioni. Në anën tjetër, AKI qëndron si institucioni i sigurisë i cili gëzon besimin më të ulët ku vetëm 20% të të anketuarëve kanë thënë se i besojnë këtij institucioni.

Institucionet e drejtësisë vazhdojnë të kenë besim të ulët të qytetarëve. Qytetarët e Kosovës më shumë i besojnë prokurorisë (31%) se sa gjykatave (27%).  Eshtë vërejtur se gratë u besojnë institucioneve të drejtësisë më shumë se burrat.

Institucionet qendrore si Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës vazhdojnë të  gëzojnë besimin tejet të ulët të qytetarëve.

 Vetëm 15 % të të anketuarëvë kanë shprehur besimin e tyre në Kuvendin e Kosovës. Krahas kësaj, Qeveria e Kosovës është rradhitur si institucioni më i jobesueshëm për qytetarët e Kosovës.

Vetëm 14% të qytetarëve kanë thënë se i besojnë Qeverisë së Kosovës.  Në anën tjetër, Barometri ka regjistruar besim më të madh për Institucionet Lokale ku rreth 40% e qytetarëve janë shprehur se i besojnë këtyre institucioneve.

Sa i përket besimit në institucione ndërkombëtare, besimi i qytetarëve ndaj EULEX-it vazhdon të jetë shumë i ulët krahasuar me KFOR-in. KFOR-i  listohet si institucioni i dytë më i besueshëm në këtë edicion të Barometrit ku 68% të respodentëve kanë theksuar se i besojnë këtij institucioni ndërkombëtar.

Barometri nuk ka regjistruar ndonjë ndryshim të madh në rezultate sa i përket lidhshmërisë në mes besimit si dhe zonës së vendbanimit. Po ashtu, nuk është vërejtur ndonjë ndryshim i madh sa i përket regjioneve, përveç në Mitrovicë të Veriut ku besimi në institucione kosovare është dukshëm më i ulët. Ngjashëm edhe tek analizimi i lidhshmërisë së besimit me përkatësi etnike, Kosovarët Serb vazhdojnë të kenë besim të ulët në institucionet e Kosovës.

Përveç matjes se besimit ndaj institucioneve të sigurisë, BKS 2018 ka bërë edhe matjen e perceptimeve të qytetarëve të Kosovës edhe lidhur me kërcënimet kryesore të brendshme dhe të jashtme të sigurisë.

Të anketuarit i shohin korrupsionin, papunësinë, krimin e organizuar si rreziqet më të mëdha të brendshme të Kosovës. Mirëpo, shqetësim i madh është vërejtur edhe për ndarjen e Kosovës si dhe autonominë e veriut.

Analizat e kombinuara të Barometrit kanë treguar se të anketuarit në zona rurale janë më të shqetësuar rreth rreziqeve të brendshme të Kosovës se sa të anketuarit në zona urbane.

Poashtu, respodentët Kosovarë Serb ndihen më pak të kërcënuar nga të gjitha rreziqet nacionale të sigurisë se sa respodentët Shqiptar; mirëpo, të dy etnitë shprehën shqetësim të theksuar lidhur me krimin e organizuar.

Perimetri i sigurisë është një element si dhe tregues mjaft interesant i sigurisë publike në Kosovë. Perimetri i sigurisë ka treguar që të anketuarit ndihen më të sigurt në shtëpitë e tyre ose në lagje, krahasuar me fshatin/qytetin ose Kosovën në përgjithësi.

Sipas të dhënave të këtij viti, qytetarët e Kosovës ndihen më së sigurti në shtëpi të tyre. 85.5% të anketuarve kanë thënë se ndihen shumë të sigurtë në shtëpitë e tyre.

Krahas kësaj, 84.9% kanë raportuar se ndihen të sigurtë në lagjen e tyre. Nga të dhënat e BKS 2018 është e qartë se ndjenja e sigurisë fillon të zbehet sa më shumë që qytetarët largohen nga ambienti i shtëpisë së tyre, kështu duke u rritur ndjenja e pasigurisë.

 78.8% të anketuarve kanë thënë se ndihen shumë të sigurtë në fshatin apo qytetin e tyre, ndërsa vetëm 52% të të anketuarve janë shprehur se ndihen të sigurtë në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)