Institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë të prekura nga dukuria e mitmarrjes
Në Kosovë sipas RoLPIK mbetet shqetësues fakti se shumica e shoqërisë ka perceptimin se personat me ndikim politik kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji.
Në bazë të anketave të realizuara del se 68.5% e qytetarëve janë përgjigjur pozitivisht në pyetjen “A mendoni se personat me ndikim politik kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji?”.
Ndërsa, vetëm 21.4% e tyre mendojnë se pavarësisht që personat mund të kenë ndikim politik, të njëjtit kanë gjasa të ndëshkohen në bazë të dispozitave ligjore.
Kurse, 10.1% e të anketuarve kanë thënë se nuk e dinë ose kanë zgjedhur që të mos përgjigjen fare lidhur më këtë çështje.
'Nëse e krahasojmë të dhënat më vitin e kaluar, trendi i qytetarëve që besojnë se sistemi i drejtësisë ndikohet nga pozicioni politik është në rritje prej 3.3%.'
'Nga të anketuarit të cilët besojnë se personat me ndikim politik kanë më pak gjasë të ndëshkohen nga ligji, 33.3% e tyre mendojnë se gjykatat janë institucionet që influencohen më së shumti nga ndikimi politik. Lidhur më këtë dukuri, qytetarët në vendin e dytë e vendosin Prokurorinë me 30.4% dhe Policinë e Kosovës me 20.3%'', thekson RoLPIK.
Kurse, EULEX-i sipas RoLPIK mbetet si institucioni që influencohet më së paku nga personat me ndikim politik, më vetëm 13.9%.
''Por, nëse marrim në krahasim me të dhënat e vitit të kaluar, tani kemi një trend të rritjes së perceptimit qytetar mbi influencën e personave me pozita politike në secilën nga këto institucione'', thuhet me tej në Indeksin e RoLPIK.
RoLPIK vlerëson po ashtu se institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë të prekura nga dukuria e mitmarrjes, kështu besojnë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Nga rezultatet e anketave të vitit 2020, të dhënat tregojnë se 48.1% e të anketuarve mendojnë se punëtorët e zyrtarët e institucioneve të sundimit të ligjit pranojnë dhe kërkojnë mito.
Në krahasim me vitin paraprak përqindja është ulur për 0.5%, por perceptimi negativ mbetet mendim i shumicës së përgjithshme të të anketuarve.
''Është shqetësuese që vetëm 29.4% e të pyeturve mendojnë se zyrtarët që do të duhej të zbatonin ligjin nuk do të pranonin apo kërkonin mito.''
''Vlen të përmendet se besimi i qytetarëve tek institucionet ka filluar të ketë rritje por kjo rritje në krahasim me mendimin e përgjithshëm negativ mbetet e papërfillshme", thekson RoLPIK.
Edhe në këtë vit, sikurse në atë paraprak, të anketuarit besojnë se institucionet më të prekura nga kjo dukuri janë gjykatat dhe prokuroria me rreth 59.5%, dhe krahasuar në raport me vitin e kaluar, kjo përqindje është ulur për 4.7%.
Kurse praktika e mitmarrjes sipas qytetarëve është më pak prezente tek policia e Kosovës, me 20.6% dhe më e ulët tek EULEX-i me 16.8%, dhe në krahasim me vitin paraprak ka rritje të përqindjes të atyre që mendojnë se këto dy institucione kërkojnë/pranojnë mito.
Bindja se ekziston mitmarrja te institucionet kyçe të cilat do të duhej të implementonin dhe të zbatonin ligjin, është pengesë serioze për ndërtimin e një shteti të së drejtës në Kosovë
Si institucionin më efektiv në luftimin e korrupsionit, qytetarët e radhisin policinë e Kosovës, në 48.1% .
Është vërejtur një ndryshim i gjendjes nga viti paraprak ku besueshmëria ndaj prokurorisë është ulur në krahasim me gjykatën.
Përderisa më parë, qytetarët mendonin që më pak efektive nga të gjitha institucionet në luftimin e korrupsionit ishin gjykatat, tani në këtë pozicion qytetarët e vendosin prokurorinë me përqindjen më të ulët prej 4.8%.
Për nga efektiviteti në luftën kundër korrupsionit të anketuarit i radhisin institucionet si në vijim: Prokuroria 4.8%,
Gjykatat 7.2%, EULEX-i 4.2%, Agjencia Kundër Korrupsionit 16.1%, Mediat 11.3%, Policia e Kosovës 48.1%.
Pra edhe këtë vit si në vitet e mëhershme, qytetarët nuk u besojnë prokurorisë dhe gjykatave në luftimin e korrupsionit, madje as EULEX-it, të cilët një herë e një kohë konsideroheshin si prijës të kësaj lufte.
Megjithatë, opinioni pozitiv i qytetarëve është dyfishuar për Policinë e Kosovës, duke tejkaluar përshtypjet e mëparshme ndaj rolit pozitiv të medias dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit, sa i përket efikasitetit në luftimin e kësaj dukurie negative.