Inspektorati Policor i Kosovës shënon përvjetorin e nëntë
Prishtinë, 1 qershor - Inspektorati Policor i Kosovës në një ceremoni të organizuar me shumë aktivitete ka shënuar nëntë vjetorin e themelimit.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfaqësues të institucioneve që ndërlidhen me fushën e sigurisë, gjyqësisë, prokurorisë si dhe përfaqësues nga Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa të Republikës së Shqipërisë etj.
Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së z. Fitim Shishani duke falënderuar të gjithë të pranishmit theksoi se rrugëtimi i IPK-së ndër vite ishte përplot sfida e suksese:
Është e pamundur që në përvjetorë të mos i kujtojmë rezultatet dhe sfidat duke llogaritur edhe kontributin e secilit pjesëtar të IPK-së më të cilët jam shumë krenar. Të mbikëqyrësh një institucion si Policia e Kosovës nuk është punë e lehtë, por ne do të vazhdojmë angazhimet tona duke qenë çdo herë të përgatitur, profesional dhe objektiv theksoi ndër të tjera z. Shishani duke potencuar se rrugëtimi i IPK-së deri në këtë fazë të sotshme u mundësua edhe nga përkrahja e institucioneve vendore e ndërkombëtare siç është ICITAP.
Përfaqësuesi i ICITAP-it z. Ron Fisher i cili pranoi një mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të IPK-së theksoi se ndjehet krenar për arritjet e IPK-së:
Ambasada Amerikane dhe ICITAP-i janë shumë krenar për punën që bën IPK, kur i mendon 9 vite që kanë kaluar, IPK ka evoluar shumë duke u bërë një organizatë e qëndrueshme për të vazhduar para me kapacitetet e saj të brendshme. IPK ka ndërtuar një reputacion dhe atë jo vetëm brenda institucioneve të Kosovës por edhe në rajon theksoi z. Fisher.
Në shenjë mirënjohjeje për përkrahjen e dhënë në ngritjen e nivelit të profesionalizmit të IPK-së, mirënjohje u ndanë edhe për përfaqësuesin e EULEX-it z. Hendrik Groeneveld, Prokurorisë së Shtetit - z. Sylë Hoxha, përfaqësuesit të DCAF-it znj Luanda Domi dhe përfaqësuesit të OSBE-së z. Henrik Malmquist.
Gjatë ceremonisë së organizuar për këtë rast, për të gjithë punonjësit operativ të IPK-së u ndanë distinktivët e rinj.
Si pjesë e aktiviteteve për të shënuar nëntë vjetorin e IPK-së, pasi që 1 Qershori është edhe dita ndërkombëtare e fëmijëve, mbi 30 punonjës të IPK-së dhuruan vullnetarisht gjak për fëmijët në nevojë.
Para fillimit të ceremonisë zyrtare, mbi 40 nxënës të shkollës fillore Shkëndija të Hajvalisë vizituan Inspektoratin Policor të Kosovës ku morën informacione lidhur me fushë-veprimtarinë dhe misionin e IPK-së.
IPK u themeluar në vitin 2006 si një mekanizëm i pavarur i mbikëqyrjes së Policisë me dy funksione kryesore: inspektimi i mënyrës së kryerjes së detyrave nga ana e Policisë në një varg të definuar të funksioneve menaxhuese, në lidhje me saktësinë, efektshmërinë dhe zbatueshmërinë e ligjeve në fuqi dhe hetimin e të gjitha ankesave për sjellje të policëve, pa dallim grade.