Inspektorati Policor hapi zyrën rajonale në Gjilan
Në ceremoninë e organizuar nga IPK-ja për hapjen e zyrës të pranishëm ishin përfaqësues të Prokurorisë, Agjencisë së Regjistrimit Civil, Policisë së Kosovës, Komunës së Gjilanit, si dhe përfaqësues të ICITAP-it amerikan dhe EULEX-it.
Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së, z.Fitim Shishani në fjalën e tij të rastit duke falënderuar të gjithë të pranishmit ceku rëndësinë e hapjes së kësaj zyre:
“IPK jo vetëm që është forcuar në nivel qendror por ka ardhur momenti që ne me profesionalizmin tonë, me përkrahjen e organizatave vendore dhe ndërkombëtare si ICITAP , por edhe të hapim zyrën tonë të parë rajonale ku do të trajton ankesat e qytetarëve”- theksoi Kryeshefi Ekzekutiv.
Në fjalimin e tij ai paralajmëroi edhe hapjen e zyrave tjera të IPK-së në rajonet tjera dhe potencoi dy arsye kryesore për hapjen e zyrave rajonale:
“Arsyeja e parë është që IPK të jetë më afër qytetarëve kurse arsyeja e dytë është ruajtja dhe fuqizimi i kredibilitetit të Policisë së Kosovës”- theksoi Kryeshefi Shishani duke falënderuar në veçanti edhe Agjencinë e Regjistrimit Civil e cila ka siguruar hapësirën për këtë zyre në objektin e saj në Gjilan.
Hapjes së zyrës së IPK-së ju gëzua edhe Prokuroria e Gjilanit.
Jetish Maloku, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjilan ka thënë se me hapjen e kësaj zyre do të intensifikohet bashkëpunimi me Inspektoratin Policor:
“Edhe kur ka qenë moment i caktimit të prokurorëve si koordinator për bashkëpunim me IPK-në ka qenë Gjilani që i ka paraprirë këtij procesi. Më vjen mirë që tani edhe zyra e parë e IPK-së po inaugurohet në Gjilan dhe tash që ju kemi më afër do të ketë një bashkëpunim më të madh dhe ky bashkëpunim do të jetë më i frytshëm”, ka thënë ai.
Përkrahjen për funksionimin e zyrës së IPK-së në Gjilan premtoi edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit z. Rexhep Kadriu i cili potencoi se hapja e kësaj zyre do të ndikoj që qytetarët të ndihen edhe më të sigurt.
Zyra rajonale e IPK-së e cila ka filluar punën që nga sot gjendet në objektin e Agjencisë së regjistrimit Civil në Gjilan afër Gjykatës themelore.