Inspektorati Policor arreston tre zyrtarë policorë në Mitrovicën e Veriut
Operacioni i sotshëm që u zhvillua me urdhëresë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar në muajin maj të këtij vitit të koduar me emrin “Kontrabanda”.
Arrestimi i tre të dyshuarve një toger policor, një rreshter dhe një zyrtar policor është realizuar me urdhëresë të Prokurorisë Speciale me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”.
Të arrestuarit do të intervistohen nga hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent.
Me tri arrestimet e sotshme, gjithsej numri i zyrtarëve policorë të arrestuar gjatë këtij operacioni ka shkuar në 25.