Incidenti të Kroi i Vitakut, vdes një nga 3 serbët e plagosur
Prishtinë, 10 nëntor - Ka vdekur njëri nga tre serbët e plagosur mbrëmë gjatë një përleshjeje mes shqiptarëve dhe serbëve në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicë.
Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti ka konfirmuar se Savo Mojisiq, njëri nga tre të plagosurit në incidentin në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës, ka ndërruar jetë në spitalin në veri të Mitrovicës, njofton Kosovapress.
Ai ka bërë të ditur se Mojisiq ka vdekur nga plagët e marrë gjatë incidentit në Kroin e Vitakut, ku janë plagosur edhe dy persona të tjerë, po ashtu të nacionalitetit serb.
Dy të plagosurit tjerë, njëri nga ta polic, thuhet se janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia, e cila ka bllokuar vendin e ngjarjes dhe është duke kryer hetimet, nuk ishte në gjendje të jepte më shumë hollësi rreth incidentit i cili kishte pasuar një përplasje ndërmjet grupesh të serbëve dhe shqiptarëve.
Policia tha se të shtënat nuk ishin pjesë e përplasjes, por kishin ardhur nga një drejtim i panjohur. Të plagosurit ju nënshtruan trajtimit në spitalin në veriun e Mitrovicës.