Inaugurohet pllaka përkujtimore e 5 martirëve të rënë në Velekincë të Gjilanit
Gjilan, 16 prill - Në Velekincë të Gjilanit është inauguruar pllaka përkujtimore në nderim të pesë të vrarëve në luftën e fundit.
Në ceremomi, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se liria që e gëzojmë sot është falë edhe gjakut, sakrificës dhe vetëmbrojtjes së këtyre familjarëve që sot hynë në këtë pllakë.
“Kjo pllakë përkujtimore shënon historinë e Velekincës, historinë që e kanë përjetuar familjarët. Këta pesë martirë janë me mbiemra të ndryshëm, por edhe me dallim moshe. Nuk është zgjedhur për ekzekutim as fëmija 16 vjeçar e deri te plaku 80-vjeçar veç sepse e kanë mbrojtur pragun e shtëpisë. Liria që e gëzojmë sot është falë edhe gjakut, sakrificës dhe vetëmbrojtjes së këtyre martirëve. Lavdi e përjetshme!”, ka thënë Haziri.
Kryetari i Këshillit të fshatit Velekincë, Skënder Bajrami, e ka falënderuar kryetarin Haziri dhe Komunën e Gjilanit për financimin e kësaj pllake përkujtimore, në nderim të të vrarëve në luftën e fundit.
“Kjo pllakë është iniciativë e Këshillit të fshatit, por që është mbështetur pa hezitim nga Komuna e Gjlanit, përkatësisht kryetari Haziri. Ne i falënderojmë shumë sepse duke nderuar martirët tanë, kanë nderuar së pari vetën e tyre dhe Komunën”, ka thënë Bajrami.
Në emër të familjeve të të vrarëve ka folur dëshmitari i dy vrasjeve, Xhelil Neziri, i cili e ka falënderuar Komunën e Gjilanit për mbështetjen në ndërtimin e kësaj pllake.
“Të gjithë familjarët jemi të kënaqur për këtë pllakë përkujtimore. Mendoj që çdo vit duhet t’i përkujtojmë të gjithë të rënët në mënyrën që të mos e harrojmë të kaluarën se çfarë ka ndodhur. Unë jam dëshmitar i dy vrasjeve dhe thjeshtë ka qenë një ngjarje shumë e rëndë dhe e paharrueshme”, ka thënë ai.
Ndryshe, forcat paramilitare serbe kanë vrarë në prillin e vitit 1999 pesë shqiptarë të Velekincës: Naser Neziri, Ajet Isaku, Vebi Milazimi, Blerim Halili dhe Zejnullah Rashiti.