Inaugurohet objekti i ri i QKRC-së dhe QKRA-së në Deçan
Deçan, 31 mars - Sot në Deçan është inauguruar objekti i Qendrës Komunale të Regjistrimit Civil dhe Qendrës Komunale të Regjistrimit të Automjeteve.
Përurimin e kësaj Qendre e bëri ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe kryetari Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj.
Ministri Rexhepi tha se ky objekt është ndërtuar për nevoja të shërbimeve civile për qytetarët e kësaj komune dhe me qëllim të krijimit të hapësirave më funksionale dhe komode për punë edhe për stafin e QKRC-QKRA-së në këtë komunë.
Ky është një objekt shumë i rëndësishëm për komunën dhe për qytetarët e Deçanit, të cilët do të kenë shërbime më të shpejta dhe të më të për pajisjen e tyre me dokumentet civile, tha ministri Rexhepi.
Ai theksoi se ndërtimi është bërë në bashkëpunim të ngushtë me komunën e Deçanit, e cila ka ndarë lokacionin në qendër të qytetit.
Ndërsa kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, tha se projekti për ndërtimin e QKRC-së dhe QKRA-së është jashtëzakonisht i rëndësishëm, që do të jetë në funksion të shërbimit më të mirë të qytetarëve të Deçanit.
Ndërtimi i objektit të ri të QKRC-QKRA në Deçan është në vazhdën e investimeve kapitale të MPB-së.
Ky objekt ka filluar të ndërtohet në fillim të vitit 2013, krahas ndërtimit të objekteve të reja të QKRC-QKRA-ve edhe në pesë komuna tjera (Suharekë, Gjakovë, Podujevë, Skenderaj dhe Vushtrri).
Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 244 mijë e 455 euro.