Inaugurohet Depoja Qendrore e AAPSK-së
Prishtinë, 20 Janar Sot u bë inaugurimi i Depos Qendrore të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar apo Konfiskuar (AAPSK), në të cilën do të behët ruajtja dhe administrimi nga kjo agjenci e aseteve të konfiskuara ose sekuestruara.
Në këtë ceremoni inauguruese në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësues nga Departamenti i Thesarit Amerikan, Zyra e BE-së në Kosovë, Ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha se Ministria e Drejtësisë e ka funksionalizuar AAPSK-në, ka krijuar infrastrukturë ligjore dhe logjistike, ndërsa tani kërkohet një koordinim më i plotë i kësaj agjencie me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, doganën, Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera.
Kuçi tha se AAPSK-ja ka edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Departamentin e Thesarit Amerikan dhe Zyrën e BE-së në Kosovë.
Kryeshefi i AAPSK-së Rrahim Rama, tha se inaugurimi i Depos Qendrore të AAPSK-së e cila vepron në kuadër te Ministrisë së Drejtësisë, po bëhet me buxhetin e kësaj agjencie dhe qëllimi i tyre ka qenë që të orientohen në objekte shtetërore, në mënyrë që mos dëmtohet buxheti i Kosovës.
Gery Hyde nga Departamentin e Thesarit Amerikan, vlerësoi rëndësinë që ka Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar apo Konfiskuar në luftimin e krimit dhe premtoi vazhdim të mbështetjes me qëllim, që sipas tij Kosova të luftojë sa më shumë krimin dhe korrupsionin.
Për rendësin që do ta ketë Depoja Qendrore në efikasitetin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar apo Konfiskuar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, kanë folur edhe përfaqësuesi nga Zyra e BE-së në Kosovë, Fred Newton dhe Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar.