IKD: Sistemi prokurorial me mungesë progresi në administrim
Prishtinë, 13 prill - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit, të enjten, ka prezantuar raportet me tituj “Keqadministrimi i sistemit prokurorial” dhe “Sfidat në administrimin e gjyqësorit”.
Këto raporte të IKD-së, janë si rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë dhe sistematik që IKD i ka bërë punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), në vitin 2022.
Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala, ka thënë se KGJK ka shënuar progres në miratimin e akteve nënligjore në vitin 2022, por sipas tij kjo e fundit nuk miratoi të gjitha aktet e parapara me Plan të Punës dhe me Ligjin për KGJK.
Tutje, Shala tha se është për t’u vlerësuar vazhdimi i praktikës pozitive të aplikuar nga KGjK për përfshirjen e publikut në fazën e draftimit të akteve normative. Sipas tij, në raportet paraprake, IKD kishte rekomanduar formalizimin e kësaj praktike me akt nënligjor.
Shala tha se trajtimi i kërkesave për qasje në dokumente publike, përbën një nga ngecjet më të mëdha të KGJK-së për vitin 2022.
“Në këtë drejtim, nga 417 kërkesa për informata dhe qasje në dokumente publike të adresuara nga IKD në KGJK dhe gjykatat në Kosovë, janë pranuar 223 përgjigje pozitive apo rreth 54%, 31 përgjigje negative dhe 163 kërkesa kanë mbetur pa përgjigje. Vetëm në KGJK, IKD gjatë kësaj periudhe ka parashtruar 59 kërkesa të tilla, nga të cilat, në 23 raste (40%) ka pranuar përgjigje pozitive, në 3 raste (5%) negative dhe 33 kërkesa (55%) kanë mbetur pa përgjigje”, ka thënë Shala.
Ndryshe, Shala ka thënë se problematike mbetet edhe qasja e KGJK-së lidhur me mbajtjen e takimeve elektronike përmes e-mailit. Ai tha se takimet e Këshillit duhet të janë të hapura për publikun, përveç rasteve të përcaktuara me ligj.
Sipas Shalës, KGJK gjatë vitit 2022 ka arritur t’i përmbyll proceset e zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren dhe Gjykatës e Apelit, procese këto që ishin tejzgjatur. Lidhur me këtë çështje, Shala tha se IKD përmes këtij raporti tërheq vëmendjen mbi domosdoshmërinë që Këshilli në kontinuitet të kujdeset që këto pozita në asnjë rast të mos mbeten të lira, por se të plotësohen brenda afateve ligjore
Tutje, hulumtuesi Shala tha se Planet Strategjike të KGJK-së nuk gjetën zbatim të plotë, pozitive sipas tij ishte themelimi i Komisionit për monitorimin e tyre. Ndërsa, lidhur me llogaridhënien, Shala tha se mosshqiptimi i sanksioneve në dy raste disiplinore nga KGJK, jep sinjal negativ mbi mënyrën e funksionimit të mekanizmave të brendshëm të këtij institucioni.
Shala tha se përfaqësimi jo i barabartë gjinor, është i theksuar në sistemin gjyqësor. Ai ka thënë se nga 419 gjyqtarë sa janë aktualisht në sistemin gjyqësor, 273 janë burra apo shprehur në përqindje rreth 65% dhe 146 janë gra apo 35 %.
Gjatë publikimit të raportit “Keqadministrimi i sistemit prokurorial”, Shala ka theksuar se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit ishte proces i kontestuar sipas Shoqërisë Civile, partnerëve ndërkombëtar dhe akterëve të tjerë.
Ndërsa, hulumtuesi i IKD-së, Lavdim Makshana, ka thënë se KPK nuk ka shënuar progres në administrimin e sistemit prokurorial gjatë vitit 2022, kjo në kuptim të transparencës, llogaridhënies dhe procesit të kontestuar të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas Makshanës, KPK gjatë vitit 2022 nuk ka treguar efikasitet të lartë në miratimin e akteve sekondare në krahasim me dy vitet paraprake.
Sipas Makshanës, fenomeni negativ që e ka shoqëruar KPK-në edhe gjatë vitit 2022, ka qenë dështimi për të miratuar aktet nënligjore të përcaktuara me Planin e saj të Punës për këtë vit.
Ai tha se KPK edhe gjatë kësaj periudhe ka vazhduar “avazin e vjetër”, pra nuk ka arritur që të miratojë as aktet nënligjore që rrjedhin sipas Ligjit të ri për KPK-në, ndonëse kanë kaluar afro katër vite nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Tutje, hulumtuesi Makshana, tha se viti 2022 i KPK-së u karakterizua me mungesë të transparencës, sipas tij mbi 40% të kërkesave për informata të IKD-së, mbetën pa përgjigje dhe se për vetëm 51% e vendimeve të nxjerra, i publikuan vendimet.
“Nga 138 kërkesa për qasje në informata dhe dokumente publike të adresuara në sistemin prokurorial, IKD ka pranuar 68 përgjigje pozitive (50%), 16 përgjigje negative (10%), ndërsa 54 sosh (40%) kanë mbetur pa përgjigje. Vetëm në KPK, IKD gjatë kësaj periudhe ka parashtruar 38 kërkesa të tilla, nga të cilat, në 20 raste (52%) ka pranuar përgjigje pozitive, në 4 raste (10%) ka pranuar përgjigje negative, ndërsa në 14 kërkesa tjera (36%), KPK nuk ishte përgjigjur fare”, tha Makshana.
Në luftë për transparencë, Makshana përmendi edhe betejat e fituara ligjore të IKD-së ndaj sistemit prokurorial.
Ai tha se përmes ankesës së paraqitur në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), kishin arritur që të kenë qasje dosjet e poentimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, të cilat dokumente sipas Makshanës do duhej të ishin të qaseshme, mirëpo KPK nuk kishte dhënë qasje në to deri në vendimin e AIP-së.
Po ashtu, Makshana tha se një hap të rëndësishëm për të trasuar rrugën edhe OJQ-ve dhe mediave, ishte fitorja e IKD-së dhe “Betimi për Drejtësi” ndaj Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për qasje në vendimet e hudhjes së kallëzimeve penale.
Makshana tha se shumica e rasteve disiplinore ndaj prokurorëve, përfundojnë me masa të buta disiplinore.
Ai theksoi edhe tri raste, atë të vrasjes së Sebahate Morinës, rastin e dhunimit të 11-vjeçares si dhe rastin e Saime Domazetit, e për të cilat raste ai tha se sistemi prokuroial ka dështuar me mekanizmat e llogaridhënies, pasi për këto raste nuk është adresuar përgjegjësia disiplinore
Ndërsa, hulumtuesja e IKD-së, Eranda Zekaj duke prezantuar raportin “Keqadministrimi i sistemit prokurorial”, tha se nga numri i përgjithshëm i prokurorëve, 105 apo 57.38% janë burra dhe 78 apo 42.62% janë gra. Përqindje pothuajse e ngjashme hulumtuesja Zekaj tha se është edhe sa i përket përbërjes së KPK-së. Nga 11 anëtarë të KPK-së, vetëm tre janë gra. Shprehur në përqindje i bie se 73% e KPK-së përbëhet nga anëtarët burra dhe vetëm 27% e KPK-së përbëhet nga anëtaret gra.
Ndryshe, gjatë prezantimit të këtij raporti, IKD ka theksuar se mungesa e buxhetit për vitin 2022 ndikoi në mospërmbushjen e disa obligimeve ligjore të KPK-së dhe KGJK-së.
Për më tepër, gjeni bashkëngjitur raportet e IKD-së me tituj “Keqadministrimi i sistemit prokurorial” dhe “Sfidat në administrimin e gjyqësorit", komunikatën dhe foto nga konferenca.