IKD shpalosë ide të reja për luftimin e korrupsionit
Prishtinë, 29 gusht - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) organizon konferencën për media lidhur me luften ndaj korrupsionit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë.
Si rezultat i monitorimit sistematik të trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, IKD deri më tash ka dhënë argumente të mjaftueshme, se institucionet në Republikën e Kosovës, sidomos ato të drejtësisë janë ende në kërkim të rrugës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sistemi i drejtësisë vazhdon të vuajë nga ndikimet politike dhe grupet e fuqishme të interesit, të cilat e kanë kapur sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Pavarësia, paanshmëria dhe profesionalizmi në sistemin e drejtësisë janë parime të vendosura mirë në letër, por të pazbatuara në praktikë.
Gjetjet e IKD-së dëshmojnë se korrupsioni, i cili ndiqet në Kosovë i takon profilit të ulët dhe të mesëm, në të cilin mbi 60 % e rasteve dështojnë, ndërsa në ato pak raste të profilit të lartë që janë ngritur aktakuza në mbi 90% të rasteve prokurorët dështojnë të provojnë ato në gjykata.
Në konferencën e së martës, IKD si rezultat i monitorimit dhe hulumtimit sistematik në sistemin e drejtësisë, do të prezantojë gjetjet e analizës, e cila ofron rrugëzgjidhje se çfarë duhet të ndërmerret në Kosovë për ta çliruar sistemin e drejtësisë nga politika dhe për të krijuar mundësi për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
IKD për herë të parë do të shpalosë ide të reja se si mekanizmat institucional dhe sistemin politik duhet të veprojë për të mundësuar në Kosovë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.