09 Maj 2024

IKD reagon ndaj shkeljes se etikes nga prokurorët dhe gjykatësit

Prishtinë, 3 shtator - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj shkeljeve të vazhdueshme të Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Gjyqtarë dhe Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë, por edhe instrumenteve të njohura ndërkombëtarisht, përfshirë këtu Parimet e Bangallorit për Sjellje të Gjykatësve.

\"Kultura e tillë e veprimit të gjykatësve dhe prokurorëve është duke vazhduar sidomos kur kemi parasysh dështimin e mekanizmave përkatës të kontrollit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial për t’i adresuar dhe ndëshkuar me kohë dhe në mënyrë meritore veprimet e tilla të bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale\", thuhet në reagimin e IKD-së.

Gjykatësit dhe prokurorët e Republikës së Kosovës në vazhdimësi sipas IKD-së përfshihen në debate publike, sidomos ato mediale, duke komentuar raste specifike të cilat pritet të jenë në procedurë, janë në procedurë e sipër, apo ekzistojnë aktgjykimet për këto raste.

Rastet e tilla janë shumë të shpeshta në mediat e shkruara, elektronike, edicione të lajmeve dhe emisione televizive.

Komentet e tilla bien ndesh me parimet e sjelljeve profesionale dhe etikës, duke shkaktuar dëme për sistemin e drejtësisë në vend.

Debatet e tilla nuk kontribuojnë aspak në transparencën e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, nuk kontribuojnë as në llogaridhënien e këtyre sistemeve, nuk shërbejnë për të mirën e përgjithshme apo informim më të mirë të publikut.

Këto debate vetëm sa ndikojnë negativisht në nivelin e besueshmërisë së publikut në sistemin gjyqësor dhe prokurorial për proceset dhe vendimet të cilat merren nga gjykatësit dhe prokurorët. Për më tepër, kjo mënyrë e sjelljes së gjykatësve dhe prokurorëve vë në pikëpyetje integritetin, pavarësinë, dhe paanshmërinë e tyre profesionale.

Komentimet e tilla dëshmojnë pasiguri të gjykatësve dhe prokurorëve në vendimmarrje të tyre duke shfaqur nevojën e tyre për të arsyetuar proceset dhe vendimet.

Në mënyrë që gjykatësit dhe prokurorët të mos vazhdojnë me sjellje të tilla dhe të shkaktojnë dëme të mëtutjeshme për sistemin e drejtësisë, së pari, organet kompetente sikurse Zyra e Prokurorit Disiplinor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të marrin masa disiplinore në përputhje me obligimet të cilat dalin nga ligjet, rregulloret dhe kodet e etikës dhe sjelljes profesionale.

Së dyti, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të sigurohen se gjykatësit dhe prokurorët kanë informatat e duhura se çfarë përbën shkelje të Kodit të Etikës dhe Sjelljeve Profesionale.

Së treti, kualiteti i arsyetimeve të gjykatësve dhe prokurorëve për vendimet e tyre duhet të pasqyrohet në vendimet të cilat janë të shkruara dhe se debatet publike nuk duhet të shihen si kanale për të bindur publikun se vendimet e tyre janë të drejta dhe të bazuara në ligj.

IKD kërkon që transparenca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të avancohet dhe publiku të informohet për të gjitha zhvillimet rreth administrimit dhe vendosjes së drejtësisë, brenda kornizës Kushtetuese dhe ligjore, mirëpo veprimet e tanishme të gjykatësve dhe prokurorëve nuk kontribuojnë në transparencë por vetëm rrezikojnë integritetin, pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatësve dhe prokurorëve. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)