25 Dhjetor 2024

Identifikohen vrasësit e policit Enver Zymberi

Prishtinë, 2 shtator – EULEX-i i ka dy grupe të të dyshuarve për dy krimet e fundit në veri të Kosovës: vrasjen e policit Enver Zymeri më 26 korrik në fshatin Vragë të Komunës së Zubin-Potokut dhe djegien e portës kufitare në Jarinjë më 27 korrik.

Të dyja grupet përbëhen nga serbë lokalë të lidhur me krimin e organizuar dhe kontrabandën, shkruan sot “Koha Ditore”. Grupi i parë, ai i të dyshuarve për vrasjen e policit Enver Zymeri janë: Duran Jovanoviq, Milovan Vlarkoviq, Radovan Radiq dhe Slobodan Vuçiniq. Pjesë e këtij grupi janë edhe disa të dyshuar të tjerë, por të lartpërmendurit kanë qenë cak i arrestimit të dështuar të aksionit të ndërmarrë nga EULEX-i të mërkurën.

Grupi tjetër, për të cilin ende nuk është bërë përpjekje arrestimi dhe që dyshohen për djegien e portës kufitare në Jarinjë janë: Miljojko Radisavljeviq i njohur si “Babudovac”, Mirko Velimiroviq i njohur si “Pajo”, Srdjan Vuçiniq i njohur si “Labud” dhe Stefan Vuçiniq. Gazeta ka arritur që të sigurojë edhe fotot e të dyshuarve të grupit përgjegjës për djegien e portës kufitare.

Dy nga të dyshuarit që pas operacionit të EULEX-it të ndërmarrë të mërkurën u mendua se janë në Serbi, është raportuar se janë parë të enjten në hotelin “Alexandria” që gjendet në Zupçë të Zubin Potokut. KFOR-i e ka rrethuar hotelin dhe ka pritur shkuarjen e EULEX-it për t’i arrestuar dy të dyshuarit. Kur ka arritur EULEX-i, njëri nga të dyshuarit ka arritur të “zhdukej”, ndërkaq që pas identifikimit personi i dytë ka rezultuar të mos jetë në listën e atyre që po kërkohen nga misioni i BE-së.

Burime të gazetës kanë rikonfirmuar se i dyshuari kryesor për koordinimin e të dyja grupeve që bënë dy krimet, vrasjen e policit dhe djegien e portës kufitare, është Zvonko Veselinoviq, biznesmen dhe zyrtar i UDB-së në veri. Ndonëse për të ekziston një plan operacional arrestimi dhe një fletarrestim që nga 18 gushti, ai nuk ka qenë cak i operacionit të së mërkurës.

Udhëheqës i grupit që dogji portën kufitare dhe shtiu mbi KFOR-in dhe EULEX-in dyshohet të jetë Stefan Vuçiniq. I dyshuari tjetër Milojko Radisavleviq është pronar i pompës së benzinës “Team Petrol” në Zupçë.

Qëllimi i EULEX-it është që të arrestojë fillimisht të dyshuarit e grupit të parë që vrau policin, për shkak të përmasës më të madhe të krimit që dyshohen se e kanë bërë.

Përveç veturës me të cilën dyshohet se kanë lëvizur vrasësit e policit Enver Zymeri, asgjë tjetër e konfiskuar nga aksioni i “madh” i së mërkurës nuk duket të jetë aq e vlefshme. Vetura bëhet tejet e vlefshme si provë, kur kihet parasysh se në të janë gjetur edhe gëzhoja plumbash të kalibrit të njëjtë me plumbin që ka qëlluar policin Enver Zymeri në kokë.

Burimet e gazetës madje kanë konfirmuar se numri i armëve të konfiskuara e të proklamuara nga EULEX-i është vetëm dy. “Janë konfiskuar vetëm dy pushkë gjuetie”, i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti një burim ndërkombëtar.

Operacioni i madh i së mërkurës është koordinuar nga vetë shefi i misionit gjenerali francez Xavier Bout de Marnhac. Burime të gazetës kanë konfirmuar se EULEX-i ka pasur paraprakisht informata se dy të dyshuar të tjerë (njëri me emrin Bosniq dhe një tjetër) nuk kanë qenë në veri.

Madje sipas disa burimeve ndërkombëtare EULEX-i nuk ka pasur informacione të sigurta se edhe katër të dyshuarit që u kërkuan të mërkurën janë në atë pjesë të vendit. Mirëpo sipas burimeve të gazetës ka qenë insistimi i shefit të misionit Xavier Bout de Marhnac që ka bërë që operacioni të kryhej me doemos dhe rrjedhimisht të dështonte arrestimi.

Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton, nuk ka konfirmuar e as mohuar vërtetësinë e emrave të të dyja grupeve në të dyja grupet.

“Si një parim i përgjithshëm dhe me qëllim që të mbrohen hetimet në krime shumë serioze, EULEX-i nuk do të konfirmojë e as mohojë emrat e individëve që janë pjesë e hetimit”, ka thënë zëdhënësi Hawton.

Sipas tij, për asnjërin nga të dyshuarit ende nuk ka fletarrestim ndërkombëtar dhe si rezultat EULEX-i nuk ka kërkuar nga Serbia që ata të ekstradohen në rast se gjenden atje.

“Ngritja e fletarrestimeve ndërkombëtare është një mundësi që mund të përdoret nga prokurori i rastit, por ende nuk ka një vendim nga ai për ta bërë një gjë të tillë”, ka thënë Hawton. Zëdhënësi i EULEX-it ka thënë se operacioni i së mërkurës ka qenë operacion i EULEX-it dhe i mbështetur nga KFOR-i, pa pjesëmarrjen e Policisë së Kosovës.

/Koha Ditore/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)