Identifikohen të dyshuarit për sulmin në Kuvendin e Kosovës
Prishtinë, 30 gusht - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës pas një hetimi intensiv lidhur me sulmin në Kuvendin e Republikës së Kosovës të kryer më 4 gush 2016, ka arritur të identifikojë të dyshuarit, të cilët kanë planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar sulmin, si dhe kanë marrë përgjegjësinë për kryerjen e këtij sulmi.
Ky hetim kompleks është trajtuar me teknika dhe masa të specializuara të hetimit dhe sot me urdhëresë të GjykatësThemelore në Prishtinë është kryer kontrolli i 6 (gjashtë) lokacioneve në Prishtinë, ku janë arrestuar gjashtë të pandehur dhe janë shoqëruar dy persona tjerë. Ndaj gjashtë të pandehurve me iniciale; Adea Batusha, Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi dhe Petrit Ademi është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, në cilësinë e provave materiale, janë sekuestruar: gjashtë armë zjarri, tre pushkë automatike, 2 revole, një karabinë, municion, si dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin. Sendet e sekuestruara do të ekzaminohen nga ekspertët e fushave përkatëse.