Identifikohen dy viktima të trafikimit dhe arrestohen katër persona
Prishtinë, 15 shkurt - Policia e Kosovës ka njoftuar se bazuar në informatën që kishin pranuar hetuesit policor nga Drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore sektori në Pejë gjatë një operacioni policor të realizuar dje rreth orës 13:00 ka arritur që të identifikojë dy viktima të trafikimit dhe të arrestojë katër persona të dyshuar nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale Trafikim me njerëz, Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit, Keqpërdorimi seksual i personave nen moshën 16 vjet.
Sipas informacioneve të mbledhura pas një pune operative hetimore rreth dy javore në terren hetuesit policor kanë arritur të lokalizojnë vendqëndrimin e viktimave të moshës 15 respektivisht 16 vjeç të cilat ishin mbajtur nën kontroll të plotë nga personat e dyshuar të cilët në bashkëveprim i kanë shfrytëzuar seksualisht viktimat.
Të dyshuarit fillimisht viktimat i kishin strehuar në një lokal hotelier, pastaj i kishin strehuar edhe në dy banesa private kështu duke i ndërruar lokacionet kohë pas kohe.
Personat e dyshuar tashmë të arrestuar janë: Gj. LL. 1984; M. K. 1982; P. K. 1991 dhe L. I. 1994.
Lidhur me këtë rast është njoftuar mbrojtësi i viktimave dhe në prezencë të tij dhe punëtorit të qendrës për punë sociale viktimat janë intervistuar dhe të njëjtat janë dërguar në shtëpinë e sigurt.
Të dyshuarve me urdhër të prokurorit ju është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme.