Identifikohen 12 shtetas të huaj, të fshehur në një kamion me rimorkio
Prishtinë, 4 shkurt - Policia e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se sot rreth orës 4:00, në linjën hyrëse të Republikës së Kosovës në Terminalin Doganor, Han i Elezit, nga Maqedonia e Veriut ka ardhur Kamioni ngjyrë e bardhë me rimorkio me ngjyrë hiri të cilën e drejtonte shtetasi me inicialet A. N., viti i lindjes 1983 nga Graçanica.
Nga ana e zyrtarëve policor mjeti është selektuar për kontroll me pajisje-kamera.
Gjatë kontrollimit kamera ka dhënë sinjale se në rimorkio mund të ketë të fshehur gjallesa. Pas sinjalizimit nga pajisja, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës ka këputur bllombën, është hapur rimorkio ku edhe janë gjetur dymbëdhjetë (12) persona shtetas nga Afganistani.
Të gjithë personat janë kontrolluar nga ekipi mjekësor.
Në bashkëpunim me prokurorin kompetent janë duke u kryer hetime lidhur me dyshimet për kontrabandim me migrant, përderisa personat e identifikuar janë duke u trajtuar konform ligjit për të huaj në Republikën e Kosovës.