I vdekuri pranë lumit Ibër është shtetas shqiptar
Prishtinë, 20 dhjetor - Auron (Ibrahim) Cara (1968), banor i Republikës së Shqipërisë, me vendbanim në Tiranë është personi që është gjendur i vdekur në parkun e qytetit të Mitrovicës, afër lumit Ibër.
Identifikimi i kufomës është bërë nga familjarët e tij pas publikimit të fotove në media.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës Besim Hoti, ka theksuar se trupi i pajetë i personit të gjetur më 9 dhjetor, 2012, në Mitrovicë, identifikohet pozitivisht nga familjarët e tij.
Viktima, është identifikuar si Auron (Ibrahim) Cara (1968), banor i Republikës së Shqipërisë, me vendbanim në Tiranë. Policia e Kosovës ka mësuar se i njëjti ishte lajmëruar si person i humbur në Policinë e Tiranës, më datë 7 dhjetor, 2012.
Hetuesit policor të sektorit për krime të rënda në rajonin e Mitrovicës, janë duke zhvilluar hetimet e autorizuara për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së viktimës ndërsa ende janë në pritje të raportit zyrtar të ekspertit mjekoligjor pas obduksionit, për të përcaktuar shkaktarin e vdekjes.