I dyshuari për vrasje mbetet në paraburgim
Prishtinë, më 18 mars - Gjykata e Apelit, ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e të pandehurit N.V., kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji nga ana e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Sipas prokurorisë, N.V. dyshohet se me datë 09.03.2015, rreth orës 20:45 minuta, në korridorin e shtëpisë se shëndetit në Zubin Potok, ka privuar nga jeta tani të ndjerën D.A. dhe më këtë ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179 i Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata e Apelit vlerëson se ekzistojnë kushtet dhe arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehuri në fjalë, konform nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale, pasi që me lëshimin e tij në liri, ka gjasa reale që ky të ndikoj në dëshmitarë.
Po ashtu duke e pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe motivin e kryerjes se saj, ekziston rreziku se i dyshuari do ta përsërisë veprën penale, apo te vije deri te konflikti me familjarët tjerë.