Hyseni i përcolli KFOR-it shqetësimin rreth vizitës së Dikoviq
Prishtinë, 24 nëntor - Ministri Hyseni ka takuar sot komandantin e KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta, për të diskutuar efektet destabilizuese që ka pasur vizita e Gjeneralit serb, Dikoviq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë.
Ndërsa, vlerësohet lartë kontributi i KFOR-it në Kosovë, për paqe dhe siguri në Kosovë, ministri Hyseni i përcolli komandantit të KFOR-it shqetësimin e thellë rreth vizitës së Gjeneralit Dikoviq, me ftesë të KFOR-it.
Vizitat e tilla të ushtarakëve serbë, të akuzuar nga shoqatat e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe ato serbe, për krime lufte në Kosovë, nuk i kontribuojnë rendit dhe sigurisë së përgjithshme.
Për më tepër, vizitat e tilla mund të destabilizojnë situatën.
Si të tilla, këto vizita janë të papranueshme dhe nuk duhet të ndodhin, theksoi ministri Hyseni.
Ministri Hyseni dhe komandanti i KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta, u dakorduan që komunikimi në mes të KFOR-it dhe MPB-së, në të ardhmen të jetë më efektiv, në mënyrë që vizitat nga ana e individëve apo ushtarakëve nga Serbia, të akuzuar për krime lufte në Kosovë të mos ndodhin.