Hyn në fuqi marrëveshja bilaterale mes SHBA dhe Kosovës
Prishtinë, 27 qershor - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë bërë të ditur që sot zyrtarisht hyn në fuqi Marrëveshja bilaterale mbi statusin e forcave (SOFA).
Në njoftimin e Ambasades amerikane në Kosovë thuhet se marrëveshja mbi statusin e forcave ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës mundëson thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetit dypalësh për promovimin e sigurisë së popullit të Kosovës dhe për të kontribuar për paqe dhe stabilitet në Ballkan.
\"Kjo marrëveshje dypalëshe mbi statusin e forcave, e nënshkruar më 18 shkurt 2012, përkufizon statusin ligjor të personelit ushtarak të Shteteve të Bashkuara dhe shtetasve të SHBA-ve që punojnë në Kosovë në programet në mbështetje të sigurisë sonë të përbashkët\', thuhet në njoftim.
Marrëveshja do të lehtësojë një varg të veprimtarive të përbashkëta, siç është përfshirja e Gardës Kombëtare të Iowa-s në Programin i partneritetit shtetëror me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), që do të vazhdojnë zhvillimin e mëtejmë të bashkëpunimit tonë afatgjatë dhe të qëndrueshëm për siguri.
SOFA demonstron fuqinë e aleancës ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës.