Hungaria nuk tërheqë ushtarët nga Kosova
Prishtinë, 15 nëntor - Ministri i mbrojtjes së Hungarisë, Csaba Hende i ka thënë komandantit të KFOR-it, Gjeneralmajor Francesco Paolo Figliulo se shteti i tij do të vazhdojë të përkrahë trupat e KFOR-it me ushtarë.
Deklarata e ministrit hungarez është bërë në Prishtinë gjatë takimit që të dy zyrtarët e lartëpërmendur e kanë mbajtur në shtabin e përgjithshëm të trupave ushtarake ndërkombëtare e njohur si Film City.
Gjatë qëndrimit të tij, Ministri Hungarez i Mbrojtjes vizitoi bazën e KFOR-it për manovra taktike (KTM) në Prishtinë, ku takoi komandatin e KTM-së dhe pjesëtarët e kontigjentit Hungarez, që është pjesë e kësaj njësie të KFOR-it, njoftohet ndër të tjera në komunikatën e dërguar medieve nga KFOR-i.
Komunikata vazhdon më tej duke thënë se dje z. Hende kishte vizituar kampin Marshal de Lattre de Tassigny në Vushtrri dhe kampin Nothing Hill në Leposaviq, ku kishte takuar trupat hungareze të stacionuara në këto kampe të KFOR-it.
Hungaria është një prej shteteve që më së shumti kontribuon me ushtarë ndërsa së fundi kontingjentin e vendit të saj e ka shtuar edhe me 310 ushtarë të tjerë.