Hungaria do të mbështet Ministrinë për Forcën e Sigurisë
Prishtinë, 3 shkurt - Ministri i ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), zotëri Haki Demolli me bashkëpunëtorë, priti në takim zyrtar zëvendës ministrin e Mbrojtjes të Hungarisë, Tamas Vargha.
Fillimisht, Ministri Demolli në emër të Ministrisë dhe FSK-së e falënderoi zëvendës ministrin e Mbrojtjes të Hungarisë për interesimin e vazhdueshëm që po tregon Ministria e Mbrojtjes së Hungarisë për vazhdimin e thellimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit me ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe mbi hapat që do të ndërmerren në vazhdim në drejtim të zyrtarizimit dhe konkretizimit të bashkëpunimit.
Ministri Demolli gjithashtu u shpreh se Ministria për FSK-në është angazhuar me seriozitet rreth finalizimit të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë për FSK dhe Ministrisë të Mbrojtjes të Hungarisë.
Ministri i FSK-së tha se krahas bashkëpunimit me ministri të mbrojtjes të shumë vendeve tjera që aktualisht ka Kosova, zyrtarizimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes të Hungarisë ka rëndësi të madhe.
Nga ana e tij, zëvendës, ministri i Mbrojtjes të Hungarisë, Tamas Vargha tha gjithashtu se edhe Ministria e Mbrojtjes është në përfundim të punës për finalizimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë për FSK dhe se Ministria e Mbrojtjes e Hungarisë do të angazhohet më tutje për ta mbështet Ministrinë për FSK dhe Kosovën në iniciativat rajonale dhe më gjerë.