Hulumtohen metodat për konfiskimin e pasurisë së paligjshme
Prishtinë, 30 prill - Zyra e Unionit Europian në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë-Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar (AAPSK), kanë organizuar një takim të përbashkët më qëllim që të hulumtojnë metodat e përmirësimit të komunikimit në mes të AAPSK-së dhe institucioneve tjera të interesuara për forcimin e bashkëpunimit në sekuestrimin ose konfiskimin dhe administrimin e pasurisë së fituar me vepër penale.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Daut Xhemajli tha se takimi i sotëm i të gjithë akterëve do të ketë si qëllim akordimin për mënyrën e përmirësimit të bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet Agjencisë dhe palëve të saj të interesit për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe efikasitetin e institucioneve tona.
Çmohet qëllimi i këtij projekti dhe mirëpritet fushëveprimtaria e projektit i cili është i angazhuar për trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe përmirësimin e komunikimit në mes të AAPSK-së dhe palëve kyçe në këtë proces, tha Xhemajli.
Drejtori i Departamentit për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Enver Krasniqi tha se Agjencia nuk ka kompetenca ligjore të sekuestron ose konfiskon, por vetëm të administron pasurinë e fituar nga vepra penale, prandaj është e domosdoshme që gjykatat, prokurorit ose organet tjera ti drejtohen Policisë së Kosovës e cila pas sekuestrimit të pasurisë, këtë pasuri në afatin e paraparë ligjorë do ta dorëzojë tek Agjencia për Administrim.
Në këtë takim për rendësin e përmirësimit të bashkëpunimit në mes të AAPSK-së dhe institucioneve tjera folën edhe përfaqësuesi i Zyrës së Unionit Europian në Kosovë, Melvin Asin, Udhëheqësi i Ekipit të projektit Cedric Woodhall, përfaqësues nga Policia e Kosovës dhe përfaqësues të prokurorisë dhe gjykatave.