Hoxhaj e Çeku vizituan selinë e NATO-s në Bruksel
Bruksel, 10 prill - Në kuadër të konsultimeve rreth procesit të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, dhe Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, zhvilluan të enjten një vizitë të përbashkët në selinë politike të NATO-s.
Vizita e ministrave Hoxhaj dhe Çeku shërbeu për të informuar përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të NATO-s rreth zhvillimeve politike në Kosovë, me theks të veçantë rreth vendimit të Qeverisë për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Në vazhdën e diskutimeve, dy ministrat prezantuan të arriturat në procesin e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, si dhe aspiratat e Kosovës në avancimin e integrimeve euroatlantike.
Një theks i veçantë i është kushtuar kapitullit të ri të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.
Ministri Hoxhaj dhe ministri Çeku theksuan se Kosova është e përkushtuar të shërbejë si faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon, dhe kontribuues i sigurisë rajonale.
Ata po ashtu theksuan se gjashtë vjet pas pavarësisë, aspirata e Kosovës është e projektuar të jetë eksportues i sigurisë, dhe jo konsumues i saj.