17 Janar 2025

Hoxha: Të mos paragjykohet rezultati i hetimeve

Prishtinë, 11 nëntor - Sot, Ministrja Dhurata Hoxha, mbajti një konferencë për shtyp ku ju drejtua mediave dhe qytetarëve të Kosovës në një prononcim lidhur me vdekjen tragjike të Astrit Deharit.

Ministrja e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha, theksoi se ka përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit rreth rastit të humbjes tragjike të jetës së Astrit Deharit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, dhe shfrytëzoi rastin që edhe një herë t`i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit për humbjen e tyre.

Ministrja, po ashtu, njoftoi se që nga dita kur ka pranuar lajmin tragjik, ka vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat brenda mandatit të saj duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet për zbardhjen e rastit.

Me qëllim të sigurimit të transparencës së plotë për kryerjen e autopsisë së trupit të të ndjerit, pasi që është kërkuar nga prokuroria, është lejuar prezenca e ekspertëve të dërguar nga familja. Po ashtu, gjatë këtij procesi kanë qenë prezent në cilësinë e monitoruesve edhe ekspertë nga EULEX-i.

Gjatë kësaj konference për shtyp, Ministrja Hoxha njoftoi se shumë shpejt pritet raporti zyrtar nga ekipi i Mjekësisë Ligjore lidhur me rastin, i cili do të sqaroj rrethanat e rastit.

“Për hir të transparencës, ne kemi lejuar vizitën e deputeteve të Lëvizjes Vetëvendosje te dy të paraburgosurit tjerë-anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk kemi marrë asnjë ankesë për trajtimin e tyre nga ana e deputeteve”, theksoi Ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha shtoi se ka ftuar publikisht KMDLNJ-në dhe Avokatin e Popullit që të vizitoj Qendrat e Paraburgimit në mënyrë që të verifikojë gjendjen e tyre dhe trajtimin që u bëhet nga zyrtarët e Shërbimit korrektues.

“Jam thellësisht e shqetësuar për tendencën për të paragjykuar rrethanat e rastit dhe rezultatin. Janë bërë shumë deklarime të cilat vetëm sa kanë nxitur opinionin publik duke u nxituar me përfundime para marrjes së raportit zyrtar nga Prokuroria e cila po heton rastin dhe konsideroj se çdo deklarim para marrjes së raporteve zyrtare nga institucionet përkatëse, është në dëm të procesit dhe në dëm të zbardhjes së të vërtetës.\"

\"Me këtë rast, ju bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklarime që paragjykojnë rezultatin e hetimeve. Konsideroj se duke lënë hetuesinë dhe prokurorinë që të bëjnë punën e tyre, është më e pakta që duhet të bëjmë në këto rrethana. Konsideroj, se këtë ia kemi borxh të ndjerit dhe familjes së tij”, tha Ministrja Hoxha.

Gjatë konferencës, Ministrja Hoxha, garantoi se Ministria ka bërë dhe po bën çdo gjë që është në dorën e saj për të siguruar transparencë të plotë dhe për të ndihmuar në zbardhjen e rastit, por me kujdes që të mos dëmtohet procesi i hetimeve.

“Ju premtoj se do të vazhdoj të ofroj dhe të kërkoj transparencë në çdo hap të zbardhjes së këtij rasti, por edhe ju lus që të mos nxitohemi me deklarime dhe të gjykojmë para se institucionet e vendit tonë të bëjnë punën e tyre”, tha Ministrja Dhurata Hoxha në fund të fjalës së saj gjatë kësaj konference.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)