Hoxha: Rendi dhe Ligji në shërbim të qytetarëve pa dallim
Prishtinë, 22 shkurt - Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot ka marrë pjesë në dëgjimin publik i cili i dedikohej çështjes së zbatimit të marrëveshjeve për funksionalizimin e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Ministrja Hoxha fillimisht ka falënderuar organizatorët e këtij dëgjimi publik dhe njëherësh i ka njoftuar të pranishmit se roli i Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces ka qenë dhe është i kufizuar për faktin se i dedikohet para së gjithash sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial, institucione këto të pavarura në ushtrimin e funksioneve të tyre.
Ministrja Hoxha theksoi se roli i Ministrisë së Drejtësisë është në drejtim të organizimit të provimit të Jurisprudencës për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që i plotësojnë kushtet, në pajtim me afatet e përcaktuara me Ligjin për dhënien e provimit të Jurisprudencës. Po ashtu, Ministrja Hoxha bëri të ditur angazhimin intensiv me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës së nevojshme ligjore.
Krahas kësaj, shpreh përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë që në pajtim me përgjegjësitë, do të jemi të gatshëm për të dhënë kontributin tonë në drejtim të ofrimit të kushteve sa më të mira për integrimin e këtij komuniteti në sistemin tonë të drejtësisë gjithnjë në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, theksoi Ministrja Hoxha.
Në afatin e fundit, nga gjithsej 97 kandidatë sa e kanë kaluar provimin e jurisprudencës, 9 prej tyre janë të komunitetit serb, kurse në afatin e parafundit kanë kaluar 6 kandidatë të këtij komuniteti, sipas kushteve dhe trajtimit të barabartë me të gjithë kandidatët tjerë.
Në përmbyllje të këtij dëgjimi publik, Ministrja Hoxha shprehu gatishmërinë e saj për tu përgjigjur në pyetjet e shumta të anëtarëve të këtij Komisioni si dhe të pranishmëve të tjerë.