16 Janar 2025

Hoxha: Në çdo sektor të Drejtësisë pres rritje efikasiteti

Prishtinë, 31 janar - Në intervistën dhënë Kohavizionit në emisionin “Puls”, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka diskutuar për temat prioritare të Ministrisë duke theksuar se në çdo sektor të drejtësisë pret rritje efikasiteti, se askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit.

Ajo e quajti të papranueshme që për të njëjtën vepër dikush është në arrest shtëpie e dikush në paraburgim, për të mënjanuar këtë, paralajmëroi inicimin e një udhëzuesi për dënime.

Ministrja Hoxha theksoi se në shtetet e zhvilluara ekziston ky udhëzim dhe ky udhëzim pritet të mënjanojë edhe pabarazinë gjatë shqiptimit të dënimeve dhe lufton korrupsionin në gjyqësor, duke e konsideruar hap të madh në drejtësi. Ky udhëzues sipas Ministres, për të njëjtat vepra i detyron gjyqtarët të shqiptojnë dënime të njëjta.

Ndërsa sa i takon Avokatit të shtetit, Ministrja theksoi se ka shumë ankesa nga ministritë e ndryshme për punën e avokatit të shtetit. Gjatë vitit 2016 kjo avokaturë ka përfaqësuar institucionet e Kosovës në gjithsej 3864 seanca, ndërsa shumë raste që janë humbur kanë të bëjnë kryesisht me shpronësimet.

“Është koha e fundit që zyrtarët të marrin përgjegjësinë për punën e tyre, shumë shpejt do të merren masa dhe nuk do të toleroj të punohet në këtë formë”, ka thënë ministrja Hoxha.

Bashkëpunimin me Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor të Kosovës, ministrja Hoxha e vlerësoi si shumë të mirë dhe së bashku me këto dy institucione relevante të koordinuar do të bëhet rishikimi i sektorit të sundimit të ligjit.

Ministrja ka paralajmëruar ndryshime në ligjin për Prokurorinë e shtetit duke emëruar grupin punues, po ashtu, ajo ka paralajmëruar ndryshime në ligjin për Jurisprudencën, Noterinë dhe profesionet e lira me qëllim të ngritjes së efikasitetit të tyre.

Rreth Institutit për Krime të Luftës duhet të ketë më shumë efikasitet dhe bashkë me Prokurorinë, Ministrja kërkoi të ketë më shumë suksese për paraqitjen faktografike të krimeve të luftës dhe ngritjen e akuzave ndaj kryesve të krimeve të luftës.

Ligji për përmbaruesit dhe noterinë janë në Kuvend në shqyrtim dhe aty janë adresuar sfidat, përmbaruesit kanë arkëtuar 65 milion euro, deklaroi ministrja Hoxha duke vënë në pah rëndësinë e përmbaruesve.

“74 noterë nuk janë të mjaftueshëm, me rishikimin e ligjit për çdo 10 mijë banorë do të ketë një noter dhe do të fillojë licencimi i gjeneratës së re të noterëve. Në ligjin e ri janë fuqizuar nenet e caktuara që lehtësojnë punën e gjykatave. Është shtuar kontrolli ndaj noterëve dhe përgjegjësia e tyre”, theksoi ministrja Hoxha dhe shtoi se çdo shkelje e ligjit nga noterët apo përmbaruesit, kanë përgjegjësi ligjore duke e forcuar mbikëqyrjen e tyre periodike dhe sipas rastit.

Ministrja shprehu përkushtimin për transparencë me rastin e emërimit të Drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, duke kërkuar që të jetë pozitë e lartë publike dhe përzgjedhja e drejtorit të bëhet sipas marrëveshjes me Ambasadën britanike për përzgjedhjen e personave profesional në postet e larta.

Si ministre, kundër korrupsionit, kam ndërmarrë masa që nga dita e parë, theksoi Ministrja Hoxha, edhe pse mundësia është mjaftë e kufizuar, ne hartojmë ligje dhe hartojmë politika kundër korrupsionit, këtë jemi duke e bërë.

Në pyetjen rreth luftimit të korrupsionit, Ministrja Hoxha deklaroi se Projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit gjendet në Kuvend, është ligj i kërkuar në raportin e progresit, është në agjendën e reformave integruese duke definuar konfliktin e interesit dhe korrupsionin dhe duke ndikuar fuqishëm në parandalimin dhe ndëshkimin e tyre. Pritet të hartohet edhe projektligji për suspendimin e zyrtarëve publik që kanë aktakuza.

“Kam nënshkruar vendimin për themelimin e Grupit punues për hartimin e koncept dokumentit për suspendimin e zyrtarëve publik që kanë aktakuza, brenda pjesës së parë të këtij viti do të përfundojë dhe shumë shpejt do të hartohet edhe projektligji”, theksoi ministrja Hoxha. Çdo zyrtar me aktakuzë është suspenduar, dhe do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit, theksoi ministrja Hoxha.

“Jemi duke plotësuar dhe ndryshuar Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës penale, do të fuqizohen kapitujt dhe dispozitat që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi ministrja Hoxha por nuk do të ketë ligj të veçantë kundër mafisë por dispozitat për konfiskimin e pasurisë të fituar në mënyrë të paligjshme do të vendosen brenda Kodit penal dhe Procedurës penale.

“Do të ndryshoj edhe komunikimi me Interpolin, ato kompetenca i merr Policia e Kosovës, kjo është edhe reformë e procedurës së komunikimit, për shkak të koordinimit më të mirë”, theksoi Ministrja.

Ministrja pret ngritje të efikasitetit te profesionet e lira duke i vlerësuar gjetjet, dhe do të merren masa ligjore në pajtim me to.

Ministrja foli edhe për ndryshimet  e parapara në Kodin penal dhe Kodin e Procedurës penale duke i hequr kontradiktat në mes të ligjeve, reforma do të jetë e madhe duke impenjuar në proces të gjithë faktorët relevant, që nga KGjK, KPK dhe Gjykatat themelore.

Mbrojtja e kallëzuesit të korrupsionit apo krimit do të jetë një risi, ai nuk do të ketë pasoja as ndjekje penale kur e paraqet veprën por njëherësh edhe kallëzimi i rremë do të ndëshkohet, theksoi ministrja, në intervistë për Kohavizionin.

Po ashtu, ministrja Hoxha foli rreth kërkesës ndaj Kryeprokurorit të shtetit që të verifikoj çdo zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë, nëse ka akuzë. Çdo zyrtar me akuzë, do të largohet nga Ministria e rikonfirmoi Ministrja.

Ministrja ka kërkuar shtim të buxhetit dhe rritjen numrin e gjykatësve dhe bashkëpunëtorëve profesional duke angazhuar edhe gjyqtarët e pensionuar duke ndihmuar në procedimin e lëndëve.

“Reformat në drejtësi dhe prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, me përkushtimin më të madh do t’i kryej, në Ministrinë e Drejtësisë do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe çdokush do të jetë i barabartë para ligjit”, theksoi Ministrja Hoxha.

  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)