Hoxha dhe Llalla premtojnë angazhim në luftë kundër dukurive antiligjore
Prishtinë, 17 shtator Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, sot ka pritur në takim Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin në mes të prokurorive të dy vendeve.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin që kanë Prokuroria e Shtetit e Republikës së Kosovës dhe Prokuroria Shqiptare, sidomos bashkëpunimin në mes të prokurorive themelore të qyteteve ndërkufitare të dy vendeve, ndërsa kanë trajtuar disa tema ku bashkëpunimi duhet të thellohet.
U. d Kryeprokurori Hoxha dhe Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy prokurorive, duke specifikuar thellimin e bashkëpunimit në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera kundërligjore.
Ata thanë së qëllimi i thellimit të bashkëpunimit vjen si nevojë për krijimin e një stabiliteti më të madh jo vetëm në Republikën e Kosovës dhe ata të Shqipërisë, por një stabilitet më të madh rajonal dhe më gjerë.
Gjatë takimit u bisedua edhe për luftën kundër terrorizmit ku dy bashkëbiseduesit u pajtuan për një koordinim më të madh në mes të dy prokurorive, me qëllim të luftimit sa më të suksesshëm të këtij fenomeni dhe thanë se angazhimi i tyre do të jetë që Kosova dhe Shqipëria të mos jenë vende burim i terrorizmit, por as vend transit i këtij fenomeni.
Në fund të takimit të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që në të ardhmen të zhvillohen takime më të shpeshta, të drejtpërdrejta në të gjitha nivelet e të dy prokurorive.