Historia nuk shkruhet me ligje, por me realitet
Prishtinë, 30 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, beson se ligji për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të hyjë në rendin e ditës.
\"Nesër Kryesia e Kuvendit ka mbledhje. Unë dua të shpresoj dhe besoj fuqishëm se ligji për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të hyjë në rendin e ditës, nuk ka as edhe një arsye më të voglën për tu shtyrë kjo çështje\", ka theksuar ai.
Sipas tij në rast se nuk futet në rend të ditës nesër, atëherë unë do të thërras një mbledhje të jashtëzakonshme të Parlamentit të Kosovës, që ky ligj të kalo sa më shpejt që është e mundur.
\"Ligji për Veteranët e Luftës, është ligj i veteranëve të luftës, i punuar prej tyre, në konsultim me ngushtë me zyrën time, i iniciuar nga unë, tani ka edhe mbështetjen e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe askush nuk ka të drejtë ta politizoj për çështje të politikës ditore apo elektorale. Veteranët janë të gjitha partive politike dhe asnjë ushtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk do ti mohohet kontributi as edhe një minutë, kushdo që të jetë\", ka pohuar ai.
Sipas tij Historia nuk shkruhet me ligje, por me realitet.
\"Ligji përshkruan realitetin e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo historikun e partive politike\", ka theksuar ai të dielën.