Hetohet ish-ministri Lutfi Zharku
Prishtinë, 23 mars - Ish-ministri i Tregtisë dhe i Industrisë në Kosovë, Lutfi Zharku, po hetohet nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në kohën kur ka drejtuar këtë ministri.
Ai është paraqitur të hënën në Prokurorinë e Qarkut, pas thirrjes që i ka bërë ky organ i drejtësisë.
Ish-ministri Zharku, i cili e ka mbajtur këtë post për gati tre vjet gjatë mandatit të kaluar qeverisës, rezulton të jetë ministri i dytë i Qeverisë së kaluar të Thaçit që po hetohet nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pas ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj.
Në një deklaratë ish-ministri Zharku ka pranuar se është paraqitur një ditë më parë në Prokurori dhe ka dhënë deklaratë para hetuesisë. Megjithatë, ai nuk ka pranuar të bëjë publike, se për çfarë është marrë në pyetje apo me cilat akuza po ballafaqohet.