Hetohen Fatmir Sejdiu dhe Jakup Krasniqi
Prishtinë, 12 mars - Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka nisur të hetojë ish-presidentin Fatmir Sejdiu dhe ushtruesin e detyrës, së presidentit, Jakup Krasniqi për shkelje të Ligjit për faljet dhe Kushtetutës.
Sejdiu dhe Krasniqi bashkë me anëtarët e komisioneve ad hoc kanë falur të dënuar për krime të rënda, si trafikim me qenie njerëzore, vrasje të dyfishta e dhunim.
F.H. ishte falur më 2009 nga presidenti Sejdiu, e një ditë pasi ishte liruar nga burgu, kishte vrarë gruan e tij, raporton Koha.
Jemi në fazën e grumbullimit të informacioneve, po punohet shpejt. Në fakt, unë kam kërkuar nga policia që me urgjencë të grumbullojë informacione, i ka thënë KTV-së prokurorja Drita Hajdari, pa dhënë detaje të tjera.
Që nga viti 2009, presidentët kanë falur pjesërisht dhe në tërësi më shumë se 236 vjet burgim për 227 të dënuar, nga ta 10 femra. I vetmi lëshim që është bërë ka qenë falja e 10 prej tyre që fillimisht u ishte refuzuar lirimi me kusht nga Paneli për lirim me kusht. Këtë vit presidentja Atifete Jahjaga ka falur vetëm 15 persona, kryesisht dënime të lehta.