Heqja e barrikadave në veri deri më tani ka rezultuar me sukses
Mitrovicë, 20 tetor - Heqja e barrikadave në veri të vendit dhe lirimi i rrugëve për në pikat kufitare 1 dhe 31, sipas KFOR-it, deri më tani kanë rezultuar me sukses.
Ajo që mund të them është se operacioni ynë deri tash ishte i suksesshëm. Kemi kontroll të plotë në luginën e epërme të Ibrit dhe kemi kontroll të plotë në rrugët që janë përdorur për kontrabandë, i tha Radios Evropa e Lirë zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki.
Ai konfirmoi se KFOR-i ka kontroll të plotë në pikat kufitare dhe se kontrollon të gjitha kalimet në kufirin me Serbinë.
Ne i kemi hequr pjesërisht barrikadat, tha Novicki, duke mos dhënë detaje se në cilat vende janë hequr ato.
Çdo gjë ka kaluar në mënyrë të qetë dhe jemi përpjekur që të evitojmë çdo dhunë, por deri tash popullata ka qenë shumë, shumë e qetë dhe bashkëpunuese, tha Novicki.
Ai tha se që nga e shtuna, KFOR-i ka bërë të qartë se dëshiron liri të lëvizjes dhe kjo është ajo që po arrihet sot.
Në anën tjetër, raportohet se diku 150 serbë kanë tentuar të parandalojnë ushtarët e KFOR-it në largimin e barrikadave në një nga rrugët kryesore që çon në pikën kufitare në Bërnjak.
Ata u shpërndanë pas përdorimit të gazit lotsjellës.