Hazrolli vizitoi ushtrimin fushor në Kroaci-Slloveni
Zagreb, 21 shtator - Në Republikën e Kroacisë dhe Sllovenisë, nga data: 06-22 shtator 2015, është duke u zhvilluar ushtrimi fushor \"Reagimi i Menjëhershëm 15\" organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë (USAREUR) dhe në bashkëpunim me Forcat e Armatosura të Republikës së Sllovenisë dhe Kroacisë.
Në ushtrimin Reagimi i Menjëhershëm 15 po merr pjesë edhe një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës me 11 pjesëtarë; oficerë stafi, oficerë për Inteligjencë, mjekësi dhe vëzhgues kontrollues. Për të përcjellë ushtrimin nga afër, në Kroaci-Slloveni po merr pjesë edhe zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore gjeneral brigade Gëzim Hazrolli.
Në finalizimin e ushtrimit Reagimi i Menjëhershëm 15 morën pjesë presidenti i Sllovenisë Borut Pahor, Ministrja e Mbrojtjes së Sllovenisë, znj. Janka Vebera, ambasadori i Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi, gjeneral nga SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Kroacia, Sllovenia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova si dhe udhëheqësit e lartë politik dhe ushtarak nga vendet pjesëmarrëse në ushtrim.
Të pranishmit u njoftuan për punën dhe bashkëveprimin e të gjitha shteteve pjesëmarrëse në ushtrimin në fjalë duke shprehur gatishmërinë për veprime të përbashkëta ku do që paraqitet nevoja.
Gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, gjatë përcjellës së ushtrimit në Slloveni, takoi shumë personalitete ushtarake dhe civile, si dhe pjesëtarët e FSK-së, në ushtrim fushor Reagimi i Menjëhershëm 15.
Gjenerali gjerësisht u njoftua me rrjedhën e ushtrimit fushor, bashkëpunimin me pjesëmarrësit tjerë në ushtrim, për sfidat dhe përvojat e fituara gjatë ushtrimit etj.
Zëvendëskomandanti i KFT-së, gjeneral Hazrolli në emër të FSK-së, dhe Komandantit të FSK-së, ka falënderuar Ushtrinë Kroate dhe atë Slloveni, për organizimin dhe për pjesëmarrjen e FSK-së në këtë ushtrim, si dhe kërkoi pjesëmarrjen e FSK-së, në iniciativa të tilla të bashkëpunimit dhe integrimit të vendit tonë në mekanizma të sigurisë rajonale.