Haradinaj shkarkon Komisionin Shtetëror për Shënjimin e Kufirit
Kabineti qeveritar, me dy abstenime, mori vendim për shkarkimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.
Kryeministri Haradinaj tha se për këtë hap është konsultuar me partnerët politikë.
“Meqë Komisionit i ka skaduar mandati unë i propozoj Qeverisë shkarkimin e këtij komisioni i cili përbëhet nga pesë anëtarë dhe kam kërkuar që profesor Shpejtim Bulliqi të udhëheq me këtë komision."
"Ai do të marr përgjegjësitë për të krijuar komisionin e ri dhe t’ia sjellë Qeverisë të gjeturat për punët rreth shënimit të kufirit me Republikën e Malit të Zi dhe ne ta kemi të qartë se si të veprojmë më tutje dhe si ta avancojmë këtë temë”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj bëri të ditur se bartësit e institucioneve shtetërore kanë komunikim të mirë me Podgoricën zyrtare.